Britania e Madhe duket e vendosur për të goditur të korruptuarit dhe inkriminuarit, ndërsa ka paralajmëruar se gjatë vitit 2023 do të sjellë një valë të dytë shpalljesh “non grata”, ku subjekt pritet të jenë të gjithë ata që sipas Londrës, minojnë demokracinë, sundimin e ligjit apo janë përfshirë në krim e korrupsion në Shqipëri. Një vit më parë ish-kryeministri Sali Berisha u shpall i padëshiruar nga Anglia, por ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith deklaroi dje për mediat se gjatë 2023 do ketë edhe biznesmenë dhe personalitet të tjerë si politikanë që kanë ndikuar negativisht në përparimin dhe demokratizimin e vendit, të cilët siç thotë diplomati do shpallen të padëshiruar, duke hyrë kështu në “listën e zezë”. “Gjatë këtij viti do të ketë aksione të mëtejshme. Gjatë vitit 2023 do të sanksionohen politikanë dhe biznesmenë shqiptarë. Do të ketë të tjerë non grata për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Do të marrim aksione kundër trafikantëve. Ne do të vijojmë që të investojmë për arsimin dhe universitetet”, deklaroi ai.
Apeli britanik për zgjedhjet e 14 majit
Por ndërsa jemi në një viti ku qytetarët shqiptarë do t’iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e Këshillave Bashkiakë, ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, ka bërë thirrje dje nga Elbasani që zgjedhjet e 14 majit të jenë të lira dhe të ndershme, si dhe të garojnë kandidatë të pastër, që nuk janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. “Kandidatët në zgjedhjet vendore të jenë larg korrupsionit dhe krimit . Dhe mos ketë keqpërdorim të burimeve shtetërore. Nesër do të kemi vizitën në Tiranë të Dërguarit të Posaçëm për BP”, u shpreh ai.
Emigracioni i paligjshëm drejt Britanisë
Më tej ambasadori Smith foli përsëri për emigrantët shqiptarë, duke u bërë thirrje atyre të mos rrezikojnë për të hyrë në Britani ilegalisht, ndërsa theksoi se për ta Shqipëria është vend i sigurtë. “Nesër do të kemi vizitën në Tiranë të Dërguarit të Posaçëm për BP. Në fund dua atë flas për emigracion. Jemi të shqetësuar sepse shumë të rinj po largohen nga Shqipëria në mënyrë të paligjshme, Mesazhi ynë është që mos shkoni në këtë mënyrë atje, e vërteta është se nuk është ashtu siç tregohet nga trafikantët. E rëndësishme është që të zbatojmë marrëveshjen e përbashkët mes dy vendeve. Në bazë të kësaj marrëveshje, Shqipëria shihet si një vend i sigurt dhe ata që ikin ilegalisht, do të kthehen. Pra, njerëzit do të mund të emigrojnë vetëm në mënyrë të ligjshme dhe ata që do të emigrojnë në mënyrë të paligjshme do të kthehen. Përveçse do të marrim aksione kundër trafikantëve, do të sigurohemi që personat që ikin në mënyrë të paligjshme të mos e bëjnë. Qeveria britanike e njeh dhe e vlerëson shumë kontributin e komunitetit shqiptar në Britani. Ne do të marrim masa ndaj personave të përfshirë në kriminalitet”, tha ai.
Reforma në drejtësi
Më herët ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith ka folur edhe për reformën në drejtësi, të cilën e përgëzoi, ndërkohë që premtoi mbështetjen e Londrës zyrtare për institucionet ligjzbatuese shqiptare. Megjithatë, diplomati King-Smith theksoi se ka ardhur koha që më ndihmën e partnerëve, edhe në Shqipëri të trokasë ora e pandëshkueshmërisë. “Pra, ne pajtohemi që Reforma në Drejtësi është absolutisht thelbësore dhe në të vërtetë mendoj se ishte një nga gjërat më pozitive për vitin 2022. Megjithëse rezultatet e plota mund të mos jenë parë ende të plota, mënyra se si institucionet e pavarura, proceset e drejtësisë po evoluojnë është diçka vërtet pozitive për Shqipërinë. Kjo do të jetë vendimtare për të ardhmen, por unë mendoj se ne do ta shohim 2023-ën si vitin ku rezultatet do të fillojnë me të vërtetë të shihen. Por siç thoni ju, ne si Mbretëri e Bashkuar, përveç se të mbështesim ato institucione të pavarura dhe proceset e drejtësisë, duam gjithashtu të promovojmë llogaridhënien. Sepse ajo që duhet të bëjmë së bashku është t’i japim fund mosndëshkueshmërisë”, nënvizoi diplomati Smith. Kujtojmë se ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith kohët e fundit ka qenë target i sulmeve të Sali Berishës. ky i fundit e akuzon se është i korruptuar dhe bën atë përgjegjës se ka hyrë në listën e zezë. Por sinjalet janë se Berisha do ketë dhe shokë në atë listë.