Ju sjellim disa nga momentet pikante të ndeshjes mes Partizanit dhe Laçit, e luajtur dje pasdite në “Arenën e Demave” dhe e mbyllur me shifrat 1-0 në favor të “Demave” me gol të Eleke. Vijon Partizani të mos mbledhë tifozë të shumtë në stadium. Dje nuk ishin më shumë se 600 të pranishëm, shifër tejet modeste.
– Top jo i përshtatshëm në fushë në të 16-tën, lojtarët e vënë re dhe kërkojnë ta ndërrojnë. Ndërhyjnë menjëherë punonjësit e Partizanit, që e zëvendësojnë dhe arkivojnë topin me problem.
– Nuk mungojnë as në këtë ndeshje tifozët e huaj, të cilët për t’iu përshtatur atmosferës, por edhe për të ruajtur një kujtim nga kjo eksperiencë, janë pajisur me shallin e Partizanit, të blerë nga shitësit ambulantë në hyrje të stadiumit.
– Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, duket i papërmbajtshëm në pankinë. Ai gjithë kohës komunikon me lojtarët me gjeste dhe me fjalë, teksa nuk mungojnë as kritikat në momente të caktuara.
– Eleke shënon golin e tij të parë në “Arenën e Demave”. Nigeriani zgjedh ta festojë në mënyrë “ironike” për atë top që iu përplas në të pasme dhe përfundoi në rrjetë. Më pas, tregon fanellën me numrin “10” te tifozët, që duket se kanë fituar një beniamin.
– Kote zëvendësohet direkt në nisjen e së dytës, por duket se në pushim nuk e kishin lajmëruar dhe zbret në fushë. Pasi sheh tabelën e gjyqtarit të katërt, lë fushën dhe vendin për Ismailin.
– Presidenti i Partizanit, Gazment Demi, e ndjek ndeshjen në vendin e tij të zakonshëm në stadium, në daljen e njërës prej zyrave të klubit. Në një moment, ai inkuadrohet duke biseduar me personat pranë.
– Eleke, në të 75-tën, lë fushën e blertë pas disa shqetësimeve muskulore dhe Gega vendos ta zëvendësojë, duke konsumuar edhe zëvendësimin e pestë. Rreth të 80-tës, Bintsuka shfaq një dëmtim dhe çalon në disa momente gjatë lojës, teksa kërkon ndihmën e mjekëve. Kongolezi duhet të sakrifikojë deri në fund, pasi nuk mund të zëvendësohet. Ia del mjaft mirë.
Burimi: Panorama Sport
LEXO EDHE: Pogradeci fitoi ndaj Vorës, festa lojtarëve në dhomat e zhveshjes (video)