Përse shëndeoshemi? Kjo është një nga ato pyetjet “ekzistenciale” që të gjithë ne, të paktën një herë në jetë, i kemi bërë vetes.
Faji pothuajse gjithmonë i atribuohet një metabolizmi të ngadaltë dhe joefikas, por a është e vërtetë kjo? Klikoje.al ju fton ta zbuloni më poshtë.
Çfarë nënkuptohet me metabolizëm?
Për ta thënë në një mënyrë më “popullore”, por edhe më pak korrekte, mund t’i referohemi metabolizmit si ”aftësia e një individi për të djegur kalori”.
Mitet e rreme rreth metabolizmit
Shpesh kemi dëgjuar se metabolizmi nuk mund të ndryshohet apo se është i ngadaltë prandaj edhe shtoni peshë, apo se ata me metabolizëm të shpejtë mund të konsumojnë çfarë të duan etj. Mirëpo cilat janë të vërteta dhe cilat janë mite?
Metabolizmi nuk mund të ndryshohet: E rremë
Ekspertët e shëndetit thonë se në përgjithësi është e mundur të modifikohet metabolizmi. Për të arritur këtë qëllim është e rëndësishme të kryeni aktivitet fizik, sepse sa më shumë të lëvizni, aq më shumë kalori digjni. E kjo fillon që nga sjelljet rutinë të ditës, ku në vend të parkoni sa më afër makinën provoni të bëni të kundërtën, e në vend të ashensorit të ngjisni shkallët. Lista është e gjatë!
Metabolizmi i ngadaltë nuk ekziston: E vërtetë
Është e mundur që të ketë një komponent gjenetik ose një zakon jetësor të pafavorshëm që bën të fitoni apo të mos humbisni dot peshë. Shpesh kjo lidhet me faktin se të gjithë komponentët që përbëjnë metabolizmin nuk janë optimalë por jo sepse ekziston një metabolizëm i ngadaltë. Nëse qëllimi juaj është dobësimi, është mirë t’u jepet përparësi stërvitjeve që stimulojnë rritjen e muskujve, e duke praktikuar edhe ato aktivitete që rrisin fuqinë aerobike si vrapi, noti, çiklizmi etj.
Ata me metabolizëm të shpejtë mund të hanë çfarë të duan: E rremë
Ushqimet që janë shumë të përpunuara, megjithëse mund të na ngopin për sa i përket kalorive po aq sa frutat dhe perimet, nuk mund të plotësojnë nevojat tona metabolike. Prandaj, edhe nëse stërviteni apo jo, është e rëndësishme të konsumoni sa më shumë ushqime të shëndetshme dhe sa më pak ushqime që klasifikohen si të pashëndetshme.
Ka ushqime që rrisin metabolizmin: E rremë
“Jo”, është përgjigja kategorike e dietologëve. Megjithatë, ka disa erëza që ndihmojnë metabolizmin në një mënyrë shumë të gjerë, të tilla si speci djegës, piperi apo xhenxhefil.
Metabolizmi zvogëlohet me moshën: E vërtetë
Kjo ndodh sepse me kalimin e moshës zvogëlohet masa e muskujve, motori i vërtetë i një metabolizmi të lartë dhe efikas. Me kalimin e moshës, ka një rënie progresive të masës muskulore, kështu që metabolizmi në mënyrë të pashmangshme ulet.
Dieta përshpejton metabolizmin: E rremë
Nëse dieta që po ndiqni është shumë kufizuese, e pabalancuar ose e mangët në një ose më shumë makronutrientë, do të përjetoni humbje të shpejtë të peshës. Por dietat drastike, përveç që rezultojnë të pasuksesshme në plan afatgjatë, kontribuojnë edhe në ngadalësimin e metabolizmit.
Shmangia e mëngjesit ul metabolizmin: E rremë
Mëngjesi është padyshim një nga vaktet më të rëndësishme të ditës! Në fakt, trupi ynë e interpreton gjumin e natës si një gjendje privimi nga ushqimi dhe për këtë arsye është e rëndësishme ta furnizojmë atë siç duhet. Shmangia e mëngjesit mund t’ju ekspozojë ndaj urisë së shtuar gjatë ditës, lodhjes dhe uljes së përqendrimit, por jo në uljen e metabolizmit. Megjithatë, nuk ka asnjë rregull që vlen gjithmonë dhe për të gjithë: sekreti është të dëgjojmë nevojat reale të trupit tonë.
Konsumi i vakteve të vogla dhe të shpeshta përshpejton metabolizmin: Varet
Për disa njerëz kjo mënyrë mund të ndihmojë, por për ata që kanë bërë shumë dieta në jetën e tyre, jo. Kjo mënyrë mund të jetë një zgjidhje e shkëlqyer për të parandaluar sulmet e urisë dhe për të shmangur oreksin e tepruar. E nëse doni të humbni peshë, është e rëndësishme që të krijoni një deficit kalorish, të cilin e përftoni vetëm kur kaloritë e fituara janë më të ulëta se ato të djegura. Të ngrënit në mënyrë korrekte dhe stërvitja e vazhdueshme, duke ndjekur programin e duhur, janë të vetmet strategji që mund të zbatohen për të rritur metabolizmin.