Transporti urban në Tiranë nuk do të nisë nga puna deri në realizimin e kërkesave të tyre. Edhe pas mbledhjes që Unioni i Transportit ka zhvilluar për mëse 1 orë e gjysmë, administratorët e autobusëve këmbëngulin se protokolli është i pazbatueshëm, për këtë arsye refuzojnë që të rikthehen në punë, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka dhënë “ok”. Ata kërkojnë një takim me kryeministrin Edi Rama.
“Nuk nisim punën pa u plotësuar 4 kërkesat tona. Kërkojmë heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për 2020. 90 % e shoqatave që ne përfaqësojmë, nuk do të punojnë. Protokolli i sigurisë i pazbatueshëm, duhet të ndryshojë. Rimbursim për vendet që do jenë bosh për shkak të protokollit. Rimbursim në burim për ata që përfitojnë transportin falas”, kanë thënë administratorët e autobusëve.