Deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se ka ardhur koha që opozita të bashkohet kundër qeverisë së Edi Ramës, dhe të ndodhë rrotacioni.
Tabaku në një intervistë u shpreh se një PD e copëzuar i shërben vetëm Edi Ramës.
“Nuk ka asnjë dyshim që kush nuk e ka kuptuar që PD e copëzuar, i bën nder qeverisë. Unë mund të kisha bërë dhe llogari të miat personale, por mendoj se kemi interesin opozitar të parë dhe atë të qytetarëve. Sot e kërkon dhe baza unifikimin e PD dhe jo përçarjen e saj. Besoj se mundemi të japim një ofertë opozitare dinjitoze. Do kishte qenë një shembull shumë i mirë bashkia e Kukësit, që mesa kujtoj është një mundësi e humbur. E pafalshme që në 14 maj nuk arritëm që të kishim një alternativë të unifikuar. E pakonceptueshme që votat të orientohen drejt një partie tjetër.
A do të ketë një bashkim? Nuk e zgjidhim dot sot këtu një debat që ka dy vite që vazhdon, por nuk ma heq kjo dot ambicien që të flasim për njerëzit dhe jo për ne. Për këtë arsye u tërhoqa dhe nga funksioni që kisha. Besoj e kam ushtruar detyrën time pa pasur asnjë pozicion. Mendoj se kam qenë konsiente në vendimet e mia dhe kam pasur qëndrueshmëri. Sigurisht që të gjithë gabojmë, por besoj se jam treguar korrekte dhe me votuesit e mi”, tha ajo.
Tabaku deklaroi më tej se: kam kërkuar të mos ketë zgjidhje të njëanshme, sepse nuk ndihmojnë askënd por qeverinë që ti japë zjarr përçarjes së brendshme. Ne shpresojmë që të ndryshojmë sepse është një situatë ku vërtetë ka ardhur koha që çdo faktor opozitar të mblidhet dhe të bëjë opozitë reale dhe në të gjitha platformat.