Dorëheqja e Skënder Gegës dhe largimi i drejtorit sportiv nga drejtimi i skuadrës së Partizani-t duket se ka nisur një krisje të madhe mes tifozerisë së të kuqve dhe drejtuesve të klubit. Këta të fundit akuzohen për situatën e krijuar si pasojë e strategjive të zgjedhura në merkato ku evidentohen dështimet e vazhdueshme me emrat e kushtueshëm të afruar me shumë bujë.
Grupimi “Ultras Guerrils” ka dalë me një reagim publik, ku ka sulmuar përsëri të kuqtë për situatën e krijuar dhe zgjedhjet që vazhdojnë e bëhen në klubin kryeqytetas, të përfshirë nga kaosi kur mbetet më pak se një muaj nga fillimi i sezonit të ri.
REAGIMI I ULTRAS GUERRILS
Partizani jonë ka vetëm tifozët.
Duket sikur vetëm tifozët e mbajnë peshën e dështimit ose mungesës së suksesit megjithëse nuk janë përgjegjës të drejtpërdrejtë. E për të gjetur përgjegjësit duket një mision i pamundur që kalon nëpër skuta justifikimesh, pëshpëritje fajësimesh ku gjithmonë e ka fajin tjetri, ai i radhës i cili duhet eliminuar për të mbajt lart flamurin e ekspertit që shërben për të mbajtur ngrohtë postin e drejtuesit me çdo kusht. Lojtarët për këtë tip drejtuesi vlejnë vetëm nëse përmbushet kriteri komisionues dhe regjistrimi në agjencinë private menaxheriale.
Përçmohen lojtarët e akademisë pasi ato i sjellin përfitime vetëm fanellës e klubit që i ka formuar, në vend të tyre na duhen anonimë me paga të fryra, të sjellë me pompozitet e që mjerisht kanë përfunduar tek rezervat e ekipit B, duke mos lënë asnjë shenjë as aty. Operacionet e merkatos dhe strategjia bazohet vetëm tek dëshira për të gjetur momentin më të përshtatshëm për të ngecur një kontratë e për të zyrtarizuar komisione të rëndomta. Për ne si tifozë dhe për klubet serioze ka filluar sezoni i ri, dhe përgatitjet, afrimet, largimet bëhen në mënyrë që ndeshja e parë të na gjejë gati edhe të jemi konkurrent për kualifikimin e mbi të gjitha për aspiratën e madhe të arritjes në grupe.
Por mesa duket tashmë që prapaskenat dalin në skenë kjo tipologjia e drejtuesit ka pritur medoemos dështimin. Nuk ka bërë asnjë hap për përforcimin apo harmonizimin e situatës me objektivat. E kur kjo kupolë nuk di të punojë në skuadër mos të presim që në ekip të reflektohet e kundërta.
Mjafton edhe ti hedhim sytë tek CV e kuptojmë që një ish trajner kalamajsh tek ekipi me vija, ka marrë drejtimin e Partizanit kur sapo ka dalë kampion e është në kërkim të për cikël fitues. Cikli fitues jo që nuk ndodh, por problemet sa vijnë amplifikohen dhe konfirmohet i njëjti skenar i dështuar. Ekipi u kthye nga nje Range Rover në një Fiat 500 me probleme xhenerike dhe nëse nuk i bëjmë shërbimet e duhura do mbetemi në rrugë. Ndaj më mirë të nxjerrim në rrugë atë që duhet nxjerrë … me dorëheqje.
Partizani jonë ka vetëm tifozët.