Kundër Egnatias pësoi një dëmtim të çuditshëm, sepse u godit nga një top dhe nxorri shpatullën, duke u detyruar të linte fushën e lojës. Guaye Maguette në fakt e ka një dëmtim kronik që edhe herë tjetër e ka detyruar të qendrojë në infermieri.
Kundër rrogozhinasve, ai doli jashtë në minutën e 57 i zëvendësuar nga Mba, duke prishur taktikat e të kuqve, që nuk kanë asnjë lojtar tjetër të ngjashëm në lojë me senegalezin. Sidoqoftë, problemi më i madh për Orges Shehin është se me shumë mundësi 21 vjeçari nuk do të jetë gati në kohë për derbin me Dinamon. Maguette nuk është stërvitur fare dhe me ndeshjen që po afron, bëhet e vështirë që mesfushori të rikuperojë për të qenë në fushë.
Shehi shpreson që të paktën lojtari të mund të bëjë dy seanca përpara ndeshjes së të shtunës, për të patur një mundësi për tu rreshtuar kundër Dinamos, në mos titullar, të paktën nga pankina. Në të kundërt, atëherë Mehmeti mund të marrë vendin përpara mbrojtjes.
Asnjë mundësi për të parë në fushë Kekon, që vazhdon të vuajë nga problem në këmbë, që nuk e lejon të veshë këpucët. Sulmuesi është jashtë prej pothuaj tre javësh, kështu që në vijën e parë do të jenë ende Taipi e Cara në mbështetje të Skukës, që po shtyn për të qenë titullar kundër ish-skuadrës së tij, në kryqëzimin e parë pas rikthimit.