Partizani nuk ka arritur të jetë në kohë për të certifikuar stadiumin “Arena e Demave” në turin e parë kualifikues të Conference League. Në këtë mënyrë, ekipi kryeqytetas rikthehet në “Air Albania” dhe ky është një lajm që ngroh tifozët, të cilët shpesh herë kanë udhëtuar në Elbasan, kur bëhej fjalë për të ndjekur kryeqytetasit në sfidat europiane.
Të kuqtë do të presin Kaljun në stadiumin kombëtar, ndërsa ora 20:00 për datën 17 korrik mbetet të konfirmohet. Partizani vuajti jo pak mungesën e tifozëve në “Elbasan Arena”, teksa një vit më parë përballej fillimisht me Marsaxlok dhe Iberinë.
Asnjë prej dy ndeshjeve në shtëpi nuk fitohej. Gjithçka do të nisë për Partizanin në Estoni këtë sezon, më 10 korrik. Do të jetë transfertë që përkon me sfidën e parë të edicionit 2025/26. Objektiv është vetëm kalimi i turit, ndërsa më pas ndeshjet e tjera për Partizanin do të merrnin jetë më 24 dhe 31 korrik. Shorti vendosi si kundërshtar për turin e dytë,fituesin e çiftit St. Patrik-Hegelman.
Prej muajsh klubi ka nisur punën për të plotësuar kushtet e duhura, por sërish nuk ka qenë e mundur që të kuqtë të luajnë në shtëpi, edhe pse kanë stadiumin e tyre, ku kanë shpenzuar miliona euro. Ka disa kritere, që nuk janë plotësuar, por më kryesori konsiderohet rruga, që të çon për tek impianti.
Fatkeqësisht ende nuk është zbatuar plani për një rrugë të re brenda standardeve. Ky investim kërkon një procedurë të gjatë dhe shihet e pamundur që të realizohet.