Një lëvizje e fortë pritet të trondisë merkaton e Superiores. Partizani ka finalizuar marrëveshjen me mesfushorin e njohur Kamer Qaka, duke i “rrëmbyer” Tiranës një nga objektivat kryesorë të merkatos së janarit.
Prej disa javësh, bardheblutë kishin nisur kontaktet me Qakën, duke e konsideruar atë si përforcimin ideal për mesfushën. Megjithatë, në momentet vendimtare, në garë ka hyrë fuqishëm Partizani, i cili ka paraqitur një ofertë më konkrete dhe më bindëse për lojtarin.
Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se palët kanë mbyllur marrëveshjen dhe se firmosja pritet të vijë sot, çka do ta veshë Qakën me fanellën e “Demave”. Lëvizja konsiderohet si një goditje e rëndësishme në merkato, jo vetëm për vlerën që sjell lojtari në fushë, por edhe për faktin se bëhet fjalë për një “derbi transferimesh” mes dy rivalëve historikë. Në këtë transferim ka ndikuar edhe prania e drejtorit sportiv Agim Ibraimi.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Partizani jo vetëm që do të sigurojë një përforcim cilësor, por edhe do t’i japë një goditje direkte rivalit të përjetshëm, Tiranës, duke fituar një duel të rëndësishëm në merkato përpara se të nisë sezoni i ri.