Eleminimi nga Europa, Partizani me sytë nga merkato; fokusi kryesor lojtarët e huaj

by S.M

Eliminimi i parakohshëm nga Europa i dha një sinjal të qartë Partizanit. Skuadra aktuale ka nevojë për përforcime në të gjitha repartet. Humbja me Kaljun, një ekip që ndodhej në vendin e katërt të kampionatit estonez në momentin e përballjes, nxori në pah mungesat në grupin e kuq.

Mbyllja e aventurës europiane që në turin e parë e ka zhvendosur vëmendjen e klubit drejt merkatos. Mbetet më pak se një muaj nga starti i Superiores. Partizani është i vetëdijshëm se nëse kërkon të jetë pretendent për titull, duhet të ndërtojë një skuadër më të ekuilibruar dhe më konkurruese. Drejtuesit janë në kontakte me disa profile lojtarësh për të rritur nivelin sidomos në mesfushë dhe sulm.

Emrat që pritet të afrohen nuk lidhen me kampionatin shqiptar. Kështu me shumë gjasa shumica e tyre do të jenë të huaj. E njëjta strategji është ndjekur edhe deri tani, me përjashtim të Skukës. Isgandarli është po ashtu i huaj, por ka eksperiencë me Egnatian më parë në Superiore. Martinez dhe Garsia janë si baste për drejtuesit, që pas Europës duhet të tregojnë potencialin në elitën e futbollit shqiptar.

Tendenca për të afruar lojtarë të huaj është në rritje. Ndryshe nga sezonet e kaluara, këtë vit nuk ka një tavan për numrin e të huajve që lejohen në fushë. Partizani, të tjerët, synon ta shfrytëzojë maksimalisht këtë rregull. Skuadra është në hapat e parë për të pasur fizionomi ndryshe në sezonin e ri, me më shumë prezencë ndërkombëtare dhe me objektivin për të qenë realisht konkurruese. Skuka, Isgandarli, Garsia dhe Martinez kanë eksperienca të mëparshme e ekipet e tyre kombëtare.

Lëvizjet nuk kanë përfunduar dhe madje mund të thuhet se është vetëm gjysma e rrugës. Pas largimeve të disa titullarëve dhe aktivizimit të lojtarëve të rinj në Europë, tani fokusi është tek afrimi i elementëve me cilësi që të rrisin menjëherë nivelin e skuadrës. Si në Europë, klubi ka vetëm një faktor kundër, kohën.

 

 

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Adblock Detected

Please support us by disabling your AdBlocker extension from your browsers for our website.