Superliga shqiptare është futur në ritmin më të lartë dhe cdo pikë tani mund të kushtojë. Sidomos në zonën e renditjes ku luftohet per titullin kampion. Dy pikë ndajnë Tiranën kryesuese nga Partizani. Colella shpreson që ekipi i tij të përfitojë nga mungesat e shumta të kundërshtarit e për të rifituar kreun në tre javët e mbetura.
Sa i përket gjendjes së lojtarëve, tekniku italian do të ketë të gatshëm Magette. Mesfushori është rikthyer të stërvitet me skuadrën pas dëmtimit që pësoi në takimin ndaj Vllaznisë më datë 11 mars. Pavarësisht se mori disa minuta në takimin e fundit ndaj Kukësit, 20-vjecari sipas stafit mjekësor është në 100% të formës së tij. Ndërkohë mbrojtësi Eljon Sota mungoi ndaj Kukësit për shkak të kartonit të kuq që mori ndaj Erzenit dhe pritet të jetë në formacion ndaj Tiranës.
Andi Hadroji, futbollisti që po shkëlqen me fanellën e Partizanit, ndërpreu seancën e fundit stërvitore për shkak të një problemi që ndjeu në kofshë. 24-vjecari tentoi ti bashkohej skuadrës, por stafi mjekësor vendosi që lojtari të qëndronte pushim në seancën që u zhvillua ditën e mërkurë.