Astana kundër Partizanit, një skuadër e demoralizuar në një moment jo shumë pozititiv. Në ndeshjen play off të Conference League, situata duket në favor të kampionëve të Shqipërisë, nisur dhe nga momenti i keq që po kalon kundërshtari. Eleminimi nga Kupa e Kazakistanit dhe problemet e mëdha që skuadra kazake ka pasur edhe me dëmtimet, kanë hapur një spirale të rrezikshme nga e cila mund të përfitojë Zoran Zekic me skuadrën e tij për të bërë hapin e madh të historisë me një biletë të ëndërruar drejt fazës së grupeve.
Dy humbjet në Europë, filimisht në Champions League me Dinamon e Zagrebit dhe më pas në Europa League kundër Ludogorets e kanë ridimensionuar ekipin. Në kampionat, pas 19 javësh, Astana ka shënuar vetëm 24 gola.
Trajneri Grigory Babayan sqaron se e ka shumë të vështirë të ringrejë moralin e skuadrës pas disa ndeshjeve negative dhe ky është një problem i madh që skuadra duhet ta zgjidhë në sfidën e së enjtes kundër Partizanit. “Luajmë në shtëpi dhe duhet të japim maksimumin pa asnjë justifikim”, nënvizon tekniku i skuadrës rivale të kampionëve të Shqipërisë.