Papa Françesku shtrohet në spital/ Ja si paraqitet gjendja e tij shëndetësore

Shkaku i një infeksioni në organet e frymëmarrjes, Papa Françesku do të duhet t’i kalojë disa ditë në një spital në Romë, ka bërë të ditur Vatikani.

Në deklaratën e publikuar nga Vatikani thuhet se 86-vjeçari kishte pasur vështirësi në frymëmarrje gjatë ditëve të fundit, por se nuk ka COVID-19.

Më tutje, në deklaratë thuhej se ai ka nevojë për “disa ditë terapi adekuate mjekësore spitalore”.

“Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta që ka marrë dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjet”, thuhet në deklaratë.

Stafi i tij më i afërt, përfshirë këtu edhe sigurimin, raportohet të ketë qëndruar me të në spital gjatë orëve të para të së enjtes, sipas një burimi të BBC.

Kjo është periudha më e ngarkuar e vitit për Papa Françeskun, pasi që janë planifikuar shumë evente dhe shërbime para fundjavës së Pashkëve.

Këtë fundjavë ishte planifikuar një meshë e madhe, ndërsa festimet e Javës së Shenjtë dhe Pashkëve gjatë javës së ardhshme.

Në agjendën e tij ishte planifikuar edhe një vizitë në Hungari në fund të prillit.

Të mërkurën në mëngjes, ai kryesoi grumbullim e përjavshëm të përgjithshëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Ai dukej në gjendje të mirë shpirtërore, por u pa duke bërë grimasa teksa u ndihmua të hipte në automjetin e tij.

Vatikani fillimisht tha se Papa kishte shkuar në spital për një kontroll të paraplanifikuar, por mediat italiane hodhën dyshim mbi këtë pasi që një intervistë televizive ishte anuluar në momentet e fundit.

Pas këtij lajmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i kërkoi publikut të bëjë një “lutje shtesë” për shërimin e Papës.

Biden, i cili është vetëm i dyti katolik romak që zgjidhet si udhëheqës i SHBA-së, e përshkroi gjithashtu Papën si një nga “figurat më të ngjashme me Krishtin që kam takuar ndonjëherë”.

Papa ka përdorur karrocë për të lëvizur gjatë muajve të fundit shkaku i disa problemeve me gjurin e tij.

Ai gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për një problem me zorrën e trashë në vitin 2021. Në janar, ai tha se problemi i ishte kthyer.

Pavarësisht sëmundjeve të tij, Papa ka mbetur aktiv dhe edhe ka udhëtuar jashtë vendit. Në shkurt, ai vizitoi Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.

Në janar, Papa udhëhoqi funeralin e paraardhësit të tij në pozitë, Papa Benediktit XVI – i cili ishte Papa i parë në shekuj që dha dorëheqje vullnetarisht nga pozita e tij. Ai e kishte përmendur gjendjen e keqe shëndetësore si arsye për dorëheqje.

Papa Françesku ka thënë më parë se edhe ai mund të dëshirojë t’i ndjekë hapat e Benediktit në rast se shëndeti i tij përkeqësohet.

Related posts

NGJARJE TRAGJIKE/ U zunë pritë nga grupe të armatosura, pesë oficerë policie qëllohen për vdekje

Për 375 milionë vjet ka qenë nën OQEAN, shkencëtarët konfirmojnë ZYRTARISHT se Toka ka një…

Pamje që nuk duhej të transmetoheshin/ Ajo që ndodhi në emision tronditi publikun! (VIDEO)