Shkaku i një infeksioni në organet e frymëmarrjes, Papa Françesku do të duhet t’i kalojë disa ditë në një spital në Romë, ka bërë të ditur Vatikani.
Në deklaratën e publikuar nga Vatikani thuhet se 86-vjeçari kishte pasur vështirësi në frymëmarrje gjatë ditëve të fundit, por se nuk ka COVID-19.
Më tutje, në deklaratë thuhej se ai ka nevojë për “disa ditë terapi adekuate mjekësore spitalore”.
“Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta që ka marrë dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjet”, thuhet në deklaratë.
Stafi i tij më i afërt, përfshirë këtu edhe sigurimin, raportohet të ketë qëndruar me të në spital gjatë orëve të para të së enjtes, sipas një burimi të BBC.
Kjo është periudha më e ngarkuar e vitit për Papa Françeskun, pasi që janë planifikuar shumë evente dhe shërbime para fundjavës së Pashkëve.
Këtë fundjavë ishte planifikuar një meshë e madhe, ndërsa festimet e Javës së Shenjtë dhe Pashkëve gjatë javës së ardhshme.
Në agjendën e tij ishte planifikuar edhe një vizitë në Hungari në fund të prillit.
Të mërkurën në mëngjes, ai kryesoi grumbullim e përjavshëm të përgjithshëm në Sheshin e Shën Pjetrit. Ai dukej në gjendje të mirë shpirtërore, por u pa duke bërë grimasa teksa u ndihmua të hipte në automjetin e tij.
Vatikani fillimisht tha se Papa kishte shkuar në spital për një kontroll të paraplanifikuar, por mediat italiane hodhën dyshim mbi këtë pasi që një intervistë televizive ishte anuluar në momentet e fundit.
Pas këtij lajmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i kërkoi publikut të bëjë një “lutje shtesë” për shërimin e Papës.
Biden, i cili është vetëm i dyti katolik romak që zgjidhet si udhëheqës i SHBA-së, e përshkroi gjithashtu Papën si një nga “figurat më të ngjashme me Krishtin që kam takuar ndonjëherë”.
Papa ka përdorur karrocë për të lëvizur gjatë muajve të fundit shkaku i disa problemeve me gjurin e tij.
Ai gjithashtu iu nënshtrua një operacioni për një problem me zorrën e trashë në vitin 2021. Në janar, ai tha se problemi i ishte kthyer.
Pavarësisht sëmundjeve të tij, Papa ka mbetur aktiv dhe edhe ka udhëtuar jashtë vendit. Në shkurt, ai vizitoi Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin e Jugut.
Në janar, Papa udhëhoqi funeralin e paraardhësit të tij në pozitë, Papa Benediktit XVI – i cili ishte Papa i parë në shekuj që dha dorëheqje vullnetarisht nga pozita e tij. Ai e kishte përmendur gjendjen e keqe shëndetësore si arsye për dorëheqje.
Papa Françesku ka thënë më parë se edhe ai mund të dëshirojë t’i ndjekë hapat e Benediktit në rast se shëndeti i tij përkeqësohet.