Opinion/ Ka ditë që më duket, sikur të gjithë jemi futur me dëshirë dhe po jetojmë brenda një laboratori kimie. Me një mori epruvetash të mbushur me emocione të përziera, të cilat mund të precipitojnë gjithnjë e më shumë nga çasti në çast dhe fundi mund të sjellë ndonjë shpërthim social. Por meqë këto lajthitje histerike kolektive na ndodhin jo rrallë, filloj dhe qetësohem, aq sa nuk ndjehem demode, nëse vazhdoj komunikimin, i strukur në habitatin tim gjysmë-shekullor.
Unë e llogaris veten në një komunitet konsevator njerëzish, një pjesë e të cilëve që prej nuk mbahet mend, vazhdojnë ta kenë sportin një profesion “full time”. Kështu, jo se dua ta injoroj aktualitetin ku po jetojmë me pasion, por thjesht do më pëlqente që gjërat e pastra të zenë më në fund një vend më të rëndësishëm.
Në fillim të janarit të vitit 2021 luajtëm kundër Anglisë në futboll, në kuadër të eleminatoreve të Botërorit të Katarit. Nuk e mbaj mend se çfaëe ndodhte atëherë në Shqipëri, në kohë reale, por sigurisht ndonjë nga ngjarjet si në filmat Ëestern, kur dikush, ose disa rrëmbejnë ç’të mundin dhe sa më shumë rrëmujë të bëjnë, aq më të dashur bëhen për publikun.
11 janari ishte data kur zbritëm në aeroportin e Lutonit, tani më kujtohet mirë dhe të nesërmen mbërritëm në mitikun Wembley, ku edhe arbitri po na priste te porta e jashtme, pasi ne arritëm aq vonë për këtë gjë kaq të rëndësishme, vetëm e vetëm se nuk kishin llogaritur një trafik shkatërrues. Për ne mund të përdorej në fund të ndeshjes edhe si një alibi e mirë, meqënëse në përgjithësi kërkojmë mënyra jo shumë të ndershme për të analizuar ngjarjet.
Ne në fakt, kishim mbërritur në Londër për t’i treguar përfaqësueses së Tre Luaneve dhe nëpërmjet tyre të gjithë Europës, se kemi mbetur vërtetë të vegjël në territor, apo numër popullsie, por prej kohësh i kemi bërë ujë leksionet e futbollit dhe kush guxon të na trajtojë si inferiore do të gjejë menjëherë Vaterlonë e vet.
Dhe ku mund ta tregonim këtë më mirë, se sa në ambjentet e shkollës, ku futbolli e ka nisur që nga sistemi parashkollor. Por sa filloi loja mallkuam trafikun e pamjaftueshëm londinez, që na lejoi të shkelnim barin e Wembley-t. Anglezët e kishin marrë aq seriozisht, saqë po na keqtrajtonin, madje për minuta të tëra duket sikur po konsumonin vepër penale. Për 30 minuta mbaruan punë me një 4-0, ndërsa pak para përfundimit të pjesës së parë plotësuan “manitën”, një shuplakë kjo që gjithmonë mund të trajtohet si masë e mjaftueshme.
Por ky përshkimi gjithsesi duket si një tragjedi në kohë moderne, sikur nuk na kishte ndodhur edhe më parë të na shkelmonin në atë mënyrë. Por, pas kaq vitesh që ka ndodhur e ndjej ende frikën e dhimbshme të një turpërimi të mundshëm epik. Ishte një nga ato mbrëmje, kur njeriu nuk ka më besim as të rripi i pantallonave të veta, madje herë pas here i shtrëngon instiktivisht, për më shumë siguri.
Në pjesën e dytë anglezët frenuan aq fort, duke na e respektuar në maksimum inferioritetin, sa edhe ne njerëzit e shkallëve e kuptuam lehtësisht, që në 45 minutat e mbetura nuk do të na ndodhte më asgjë. Harry Kane tha se na asfiksuan me presing dhe ekipi i tij zhvilloi një pjesë të parë pothuajse perfekte. Megjithatë ne i dhamë një ndihmë duke mos qënë fare pjesë e fushës. Kuptohet që ekzistonim fizikisht, si fare të padukshëm, ndërsa shpirti na kishte mbetur në trafik. Ndërsa trajneri jonë i moçem, Edi Reja, kishte përgatitur një ndeshje fare të zakonshme, për të pretenduar të kundërshtojë në një farë mënure yjet e Premier League-s.
Ndërkohë që së shpejti fillojmë një fushatë eleminatore për kualifikueset e një tjetër Botërori, atë që do të luhet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ndërsa Kombëtarja jonë, pikërisht në këtë 21 mars do ta fillojë sërish nga Wembley. Në emra të pervecem kemi një skuadër që nuk ndryshon shumë për nga cilësia, duke e krahasuar me atë Kombetar ankthi të katër viteve më parë. Le që përballë do te kemi përsëri të njëjtin Harry Kane, i cili në 12 janar të 2021, pas çdo goli që na shënonte (autor i një tre-goleshi), na ndihmonte duke e nxjerrë topin nga porta jonë dhe na e çonte te pika e bardhë e mesit të fushës, sa për të na kujtuar se është koha për të bërë pak vrap.
Por sidoqoftë në pankinë do të kemi një trajner më energjik, i mbështetur nga një staf ambicioz. Do të kemi në fushë lojtarë, kuptohet të talentuar, por për hir se disa kanë marrëdhënie të tendosura me klubet e tyre, presupozohet të jenë me një marsh më shumë. Por ka edhe gjëra që nuk ndryshojnë… Në prag të këtij 21 marsi do të ketë përsëri gjëra masovike. Njerëz që duhet të zbatojnë urdhra rigoroze, duke i dhënë ngjyrave të uniformave kuptim ushtarak. Gazetarët do të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, përveç atyre që kanë të drejtën të komentojnë ngjarjet e tanishme politike dhe kanë tagrin t’i drejtohen Kryeministrit me “ti”. Do të ketë 15 minuta të lejueshme për mediat, por jo për intervista, por për të parë nga larg futbollistët, në një kohë që as nuk flasin për futbollin. Dhe në fund shume taktikë, shumë përgatitje psikologjike.
Një pjesë duhet padyshim. Por ne vazhdojmë të kemi një diferencë të madhe me ata, aq sa me “vite larg” masim njëkohësisht diferencën e thelluar nga vitet, si dhe periudhën e pamundur të rikuperimit. Pra na mjafton vetëm një element, për të matur njëkohësisht edhe kohën edhe distancën. Në këtë rast, ndoshta më i rëndësishëm se programi standart, do të nevojitej pak më liri për djemtë e fushës, derisa të ruhet një distancë sigurie nga shthurja. Mund të tentojnë të argetohen pa stres, si në një lojë pa komplekse. Duhet të kuptojnë se nëse gabojnë jo si gafaxhinj do të përmirësohen për punë minutash dhe do të mund t’i hapin telashe kundërshtarit. Do të jenë në një ambient të njohur, të mbushur me njerëz alegro, të cilët trashëgojnë ritin e shpikjes së ulërimës së ëmbël sportive. Dhe në fund të përqafohen për qejf, t’i kërkojnë ca uniforma si souvenir për cunat e lagjes, cunat e vllait, cunat e xhajave, apo cunat e barit. Për information, bluzat e marra, pasi i ke lypur, qoftë e Kane, ose e Pickford, ka mbi 35 vjet që nuk konsiderohet më veprim i paligjshëm.
Ja unë do të qendroj te ky kuadrati i Wembley-t duke pritur besimplotë të shkojë më mirë se përpara katër vjetesh.
Ndërsa në rastin më të keq kemi për të ndjekur, vetëm duke konsumuar një biletë urbani spektaklin tonë acid, ku thuhet se dikujt, ca kartmonedha me prerje 500 euroshe kanë filluar t’i mbajnë erë kanali të ujërave të zeza. Dhe ne që merremi me fjalë pa kuptim. Ai fatlumi i ka të gjitha të vetat dhe ashtu i pëlqejnë, pasi i shkojnë më së miri në sinkron, me sistemin hidraulik të frymëmarrjes.