Legjenda e Tiranës Rezart Dabulla ka folur për takimin e djeshëm mes Tiranës dhe Partizanit. Humbja në derbi ka rënduar në maksimum amtosferën te Tirana. Bardheblutë u mposhtën nga Partizani me rezultatin 1-2 duke shkuar në 7 derbi pa fitore dhe 3 humbje rradhazi. Ish-kapiteni i 26 herë kampionëve ka folur me tone të ashpra për lojtarët aktual duke i krahasuar me kohën e tij kur disfatat në derbi përjetoheshin shumë keq.
FJALËT E DABULLËS PËR ORA SPORT
“Po të humbisnim një derbi, prindërve tanë nuk u dilnim dot përpara. Nuk shkonim dot në shtëpi sepse baba e nëna ishin të parët që thonin pse humbe sot. Imagjino tani, në kohën tonë gjatë gjithë vitit mund të ndodhte që të humbnim apo barazonim një derbi.
Partizani se Dinamo nuk llogaritej në atë kohë. Kurse tani kemi humbur 3 herë rresht. Ore këta kur shkojnë në shtëpi a e shohin veten në pasqyrë, a ju vjen turp nga vetja? A e dinë bluzen që kanë veshur, çfarë peshe ka. A s’të vjen zor e të jesh egoist për veten tënde. Është klubi më i paguar në Superiore me 1.5 milionë euro.
Latifi, Jonuzi, Hoxhallari, Najdovski, Abazaj, Lushkja? Mblidhi të gjithë këta edhe më thuaj sa derbi kanë fituar. Sapo ka filluar zhgënjimi e do të vazhdojë me ndeshjet e tjera. Zhgënjimi më i madh do të jetë në fund të kampionatit sepse Tirana e ka shumë të vështirë të kap Final Four.
Një klub që harxhon 1.5 milionë euro dhe nuk merr pjesë në Europë, nëse do të ma thonte njeri në fillim s’do ta besoja. Këtë dështim e krahasoj me dështimin e Dinamos që harxhoi 1.5 milionë edhe ra nga Kategoria. Tirana nuk është Dinamo, por ky dështim është i barabartë me rënien nga Kategoria.
Kur barazohej një derbi bëhej nami, nuk dilje dot nga shtëpia…”, tha Dabulla në Ora Sport.