Kryeministri Edi Rama, gjatë rubrikës “Sy m’sy”, iu përgjigj sot komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale. Rama iu përgjigj edhe një ndjekësi që i shkruante nëse do të fitohen zgjedhjet nga PS apo jo.
Rama tha se më 11 maj kërkohet mbështetja e qytetarëve për Shqipërinë në BE.
Rama ironizoi edhe opozitën dhe kryedemokratin Sali Berisha, të cilin e quajti politikan të lashtë dhe të dëshpëruar.
“Nuk është pyetja a do të fitojmë, por sa? Se a do të fitojmë nuk është pyetje. Pa diskutim që do të fitojmë. Por sa? Çfarë fuqie do të na japë 11 maji, populli shqiptar. Do të jemi thjesht një qeveri, përfaqësim apo do të jemi një përfaqësi me një mbështetje popullore më të madhe sesa kjo që kemi sot. Ndaj nëse ne fitojmë aq sa kemi sot, ose më pak seç kemi sot, ne kemi fituar zgjedhjet, por s’kemi marrë fuqi më të madhe.
Çdo gjë mbi këtë është fuqi sepse ne jemi duke kërkuar mbështetje për Shqipërinë në BE. Po e shohin të gjithë procesin sesa Shqipëria në BE ka mbështetjen e popullit. Kush do të fitojë, bufi? Një politikan i lashtë si gjetje arkeologjike që vjen vërdallë nëpër teatrin e Butrintit sikur është gjallë. I pashpresë, i dëshpëruar, që rri edhe nuk shkon në shtëpi për hallin e tij. Ai do të fitojë?”,-tha Rama.