Partizani ka parë Egnatian të arratiset 11 pikë përpara, vuajnë të kenë vazhdimësi e ç’është më e keqja kanë filluar të rikuperohen ca si shpesh. I ndodhi me Laçin, në Shkodër e tani në derbi: tre në pesë ndeshje me teknikun në pankinë.
E të mendosh që Orges Shehi është një nga ata që nuk i pëlqen fare kur skuadrat e tij pësojnë, si shpesh e ka përsëritur edhe para se të merrte Partizanin. Përgjegjësia, si e pranoi vetë, mund të jetë edhe e tij sipas shifrave dhe performancave: vetëm dy fitore, dy barazime e dy humbje me sukseset që kanë ardhur kundër Teutës, që në kohën e ndeshjes ishte e fundit dhe Apolonisë në Kupë, një skuadër e Kategorisë së Parë.
Vetëm një fitore në 12 javët e fundit të kampionatit, shifra që nuk ngjajnë fare të një skuadre që kërkon të mbrojë titullin, por të një ekipi që lufton për mbijetesë. Tani Partizani është arritur nga Vllaznia në vendin e dytë, ndërsa ‘Nëndetësja’ kërcënon vendin e katërt të Tiranës. E të dyja mund të gjenden vetëm 3 pikë larg, si për ta bërë më kërcënuese situatën….