Tirana është në luftë me kohën që të mbyllë marrëveshjet me personat që kanë hedhur në gjyq klubin bardheblu. Tirana ka paguar rreth 400 milionë lekë detyrime tatimore. Situata nuk është se është mbyllur në planin e tatimeve. Klubi ka paguar së fundmi detyrimet ndaj Jocelin Behiratche, Edon Hasanit, Asion Dajës dhe Besir Isenit. Të gjithë këta lojtarë kishin bllokuar bardheblutë ose në FIFA ose kishin fituar gjyqet në DHKZK të FSHF-së. Tirana ka paguar rreth 51 mijë euro detyrime ndaj ish-lojtarëve të saj. Për momentin, skuadra ka vetëm dy probleme.
I pari Tim Väyrynen dhe shuma 126 mijë euro dhe Orges Shehi. Finlandezi ka bllokuar merkaton dhe nuk e liron pa marrë paratë. Janë edhe 30 milionë lekët të Orges Shehit. Me këta të dy Tirana nuk ka bërë marrëveshje, por do të bëjë të pamundurën që të mbyllë marrëveshjen brenda prillit. Mësohet se Tirana, por edhe të gjitha ekipet e tjera janë në luftë me kohën për të pastruar çdo detyrim të kaluar që të marrin licencën për në Europë.
Për momentin, Tirana ka të mbyllur merkaton e lojtarëve, ndërsa në janar nuk ofroi asnjë futbollist. Deri tani 1 milion 530 mijë euro ka fituar ekipi i Tiranës nga shitja e lojtarëve. Hasani u shit për 300 mijë euro. Doka 100 mijë, Kaina 80 mijë euro, ndërsa Qefalija 50 mijë euro. Plus 1 milion euro bardheblutë morën nga Ernest Muçi.