Edhe pse vetëm para dy vites në të janë investuar plot 250 milionë lekë nga qeveria shqiptare, parku i Rilindjes Urbane në Elbasan është kthyer në një strehë për përdoruesit e lëndëve narkotike dhe po ashtu një tualet publik në mes të qytetit.
Ky park është ndërtuar në vitet ’70 dhe para dy vitesh u investua shuma e sipërpërmendur për restaurimin e tij, projekti ka përfunduar në vitin 2019 por sot është jashtë çdo funskioni kulturor, historik dhe zbavitës.
Sipas dokumenteve të publikuara nga emisioni investigative “Fiks Fare”, firma zbatuese ka qenë Bajrami-N shpk, ndërkohë që projektues të parkut ka qenë ‘Drejtoria e projektimit në Bashkinë Elbasan”. Afati i punimeve ka qenë 15 muaj, ndërkohë që parku është bërë funksional në fillim të vitit 2019. Gjithsej, sipas dokumenteve që disponon Fiks Fare, sipërfaqja e të gjithë parkut është 82 mijë e 120 metër katrorë.
Fiks Fare siguroi disa fotografi të bëra publike në momentin e investimit, ku dukej edhe maketi i cili “vizitohej” nga të moshuar dhe familje me fëmijë. Por, dy vite e gjysmë pas rindërtimit, gjendja është e mjerueshme. Kanali që duhet të funksiononte si shëtitore, është kthyer në një banjo e madhe publike. Madje, ai frekuentohet vetëm nga përdorues të lëndëve narkotike, ndryshe nga maketi i prezantuar që do të mbushej me të gjitha grupmoshat! Në mes të parkut, projektuesit kanë bërë një kanal të madh me disa “xhepa”. Këto xhepa janë kthyer në banjo të mëdha publike. Ndërkohë, nga vëzhgimi i Fiks Fare në atë vend gjen shiringa të përdoruesve të drògës.
Gazetarët biseduan me banorë të Elbasanit, të cilët thanë se parku ka qenë më mirë kur nuk ishte investuar. Sipas tyre, parku përdorej nga çdo grupmoshë, por prej 2019-ës, parku ka filluar të braktiset. “Shiko, s’ka stola për ne pensionistët. Edhe gjelbërimi ka ikur. Por skandal është ky kanali. Atje çfarë s’ka! Atje rrinë vetëm përdoruesit lëndës nárkotike” pohojnë disa banorë, ndërsa të tjerë pohojnë se “e bënë për veten e tyre”.
Pas ankesave, gazetarët shkuan në kanalin në mes të parkut, i cili duhej të ishte një pikë çlodhëse për banorët vendas. Por, nga vëzhgimi rezultoi se ka mbetje ushqimore trupore, ndërkohë që gazetarët gjejnë edhe shiringa të përdorueseve të lëndëve nárkotike. Vëzhgimi u bë në fillim të javës, në mes të ditës. Por, sërish gjejnë disa përdorues të lëndëve nárkotike që marrin héroinë. Gazetarët bisedojmë me përdoruesit, ku njëri thotë se është 30 vjeç dhe tjetri 29. Ata thonë se kanë vite që marrin lëndë nárkotike. Në momentin që gazetarët shkuan për t’i takuar, dy përdoruesit e kishin bërë gati heròinën dhe do e merrnin me shiringë. Por, pas një bisede të shkurtër, ata largohen.
***
Bisedë me dy përdorues që konsumojnë heroinë në mes të ditës në Parkun Rinia në Elbasan
Gazetari – Hë mo çuna?!
Përdoruesi 1 – Mirë, si kaluat?
Gazetari – Po merrni veten në qafë.
Përdoruesi 1 – Ça të bëjmë.
Gazetari – Sa vjeç je?
Përdoruesi 1 – 30.
Gazetari – Po ti?
Përdoruesi 1 – 29.
Përdoruesi 2 – 29.
Gazetari – Nga jeni ju?
Përdoruesi 1 – Këtu nga Elbasani.
Gazetari – Nga Elbasani?
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Po vini përditë këtu?
Përdoruesi 1 – Jo, nga njëherë kështu.
Përdoruesi 2 – Po nga njëherë kështu, nga njëherë.
Gazetari – Po punoni?
Përdoruesi 1 – Jo.
Gazetari – S’jeni në punë?
Përdoruesi 1 – Ncnc.
Gazetari – Po ku e gjeni, ku e gjeni?
Përdoruesi 2 – Po ça do bëjmë, ça do bëjmë! E kemi nga shefi i madh.
Gazetari – Nga kush?
Përdoruesi 2 – E kemi nga shefi i madh, e pimë vetë.
Gazetari – Nga qejfi?
Përdoruesi 2 – Po nga qejfi i madh.
Gazetari – Po ku i gjeni lekët që e pini?
Përdoruesi 1 – Mbledhim kanaçe.
Gazetari – Mblidhni kanaçe?
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Ça është e kuqe (heroinë) ajo?
Përdoruesi 1 – Ëëëë.
Përdoruesi 2 – Po.
Gazetari – Me çfarë e bëni, me shiringë?
Përdoruesi 1 – Po.
Gazetari – Ku e bëni?
Përdoruesi 1 – Po këtu (te krahu).
Gazetari – Në duar?
Përdoruesi 2 – Ee.
Gazetari – Sa vjet po bën ti?
Përdoruesi 1 – Hec ikim, s’na lënë rehat.
Gazetari – O djali le shiringën! (Largohen).