Napoli e ekzagjeron, poshtëron me 5 gola Juventusin dhe shkon drejt titullit, shënon dhe Rrahmani

Napoli i ka dhënë një leksion futbolli sot Juventusit, duke mundur me rezultatin e thellë 5-1 skuadrën e Alegrit. Pritej një duel i luftuar por ka qenë kështu për pak minuta, pasi dominimi i skuadrës së drejtuar nga Luçiano Spaleti ishte i dukshëm.

Që në start, napolitanët ishin ata që kishin kontrollin e lojës dhe falë kësaj epërsie krijuan raste e shënuan me Osimhen dhe Kvaratskhelia. Ndërsa Juventusi u përgjigj me Di Marian i cili fillimisht gjeti traversën e më pas edhe një gol që mbajti ndeshjen e hapur në mbyllje të pjesës së parë.

Por me rikthimin në fushën e lojës pas pushimit, në fushë ishte vetëm një skuadër, Napoli. Fillimisht Rrahmani e më pas Osimhen e Elmas shënuan me lehtësi në portën e Juventusit që rrezikoi të pësonte edhe gola të tjerë deri në përfundimin e sfidës. Megjithatë, rezultati 5-1 u mjaftoi napolitanëve për të ndalur ecurinë e bardhezinjve e për të konfirmuar Napolin si superfuqi në këtë sezon në Serinë A ku vazhdon të kryesojë i vetëm.

Related posts

Shpërthen rrjeti: Akuza të rënda ndaj Vedat Muriqi për “shitje” të ndeshjes me Turqinë, reagon ashpër sulmuesi

Orges Shehi “shtrëngon vidat” te Tirana, bardheblutë përgatiten në “Selman Stërmasi” për duelin ndaj Flamurtarit (FOTO)

Tension me FSHF-në? Trabzonspori në alarm për Muçin para supersfidës