Myrto Uzuni mori vëmendjen të premten në barazimin e Granadas ndaj Burgos, edhe pse nuk ishte në fushën e lojës, por në tribunën e stadiumit. Ultrasit e Granadës nisën koret “Uzuni qëndro” disa herë gjatë sfidës, duke bërë të qartë qëndrimin e tyre, ndërsa po në kor kërkuan largimin e drejtuesve, të cilët i kanë premtuar përmirësimin e kontratës futbollistit, por nuk e kanë bërë realitet.
Pas përfundimit të sfidës, teksa sulmuesi beratas po tentonte të dilte nga stadiumi, një numër i madh tifozësh po e prisnin. Ata filluan ti këndonin duke i kërkuar që të qëndronte në ekip. Të gjithë ishin me telefona në duar dhe disa patën mundësinë të bënin edhe fotografi me idhullin e tyre.
Uzuni shkruan si mbishkrim të videos: “Kam dashuri dhe respekt vetëm për personat që dinë të vlerësojnë.”
TRANSFERIMI NË SHBA
Trajneri i Granada-s, Fran Escriba, ka zbuluar se shqiptari Myrto Uzuni “nuk dëshiron të stërvitet me skuadrën” sepse dëshiron të largohet nga klubi në këtë merkato dimërore, prandaj është jashtë për ndeshjen e kësaj të premteje kundër Burgos-it.
Escriba konfirmoi në konferencën për shtyp para ndeshjes se golashënuesi i ekipit andaluzian, Uzuni nuk dëshiron të stërvitet. Ai ka një ofertë të konsiderueshme nga MLS-ja, konkretisht nga Austin FC.
Beratasi, i cili ka një klauzolë lirimi prej 12 milionë eurosh pas rënies së Granada-s në La Liga 2, është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij dhe i dyti në kampionat, vetëm Luis Suarez-it.
Informacionin për ofertën për nënshkrimin e Uzunit është ofruar nga gazeta “Ideal Granada” dhe ka treguar se lojtari ka qenë i papërqendruar në ndeshjet e fundit.
Kjo ofertë tani për tani duket se e bind sulmuesin në planin personal për shkak të pagës së tij voluminoze, por jo Granada-n, e cila mbetet e vendosur që duhet të marrë klauzolën prej 12 milionë euro që Uzuni ka në kontratë, ndërsa oferta e amerikanëve është rreth 10 milionë euro.
Duke marrë parasysh moshën e tij (ai do të mbushë 30 vjeç në maj) ndoshta do të ishte “kontrata e fundit e madhe” teksa i afrohet fundit (ende i largët) të karrierës së tij.