Mungesat dhe çështja e arbitrimit, Magani i thotë të gjitha për sfidën ndaj Skënderbeut: Çdo lojtar duhet të marrë përgjegjësitë e veta

Tirana do të luajë nesër në transfertën e Skënderbeut. Ndeshja vlen për javën e 16-të të Superiores dhe bardheblutë udhëtojnë pas barazimit me polemika në derbin kundër Partizanit. Para ndeshjes në Korçë ka folur Gugash Magani. Trajneri i kryeqytetasve tregoi se aktualisht është larg pritshmërive të tij, pasi ndaj Elbasanit dhe Partizanit meritonin fitore. Po ashtu, i pyetur për arbitrat, tha se shpreson të jenë gabime njerëzore.

“Pas çdo ndeshje bëhet analiza përkatëse. Aq më shumë në derbi që ishte më specifike sepse nuk morën rezultatin që dëshironim. Dhe pse u munduam gjithë kohës, bëmë gjithçka mirë sepse në momentet e fundit dhe mund ta kishim fituar ndeshjen. Ajo që iku nuk mund të kthehet më. Analizohet se ku kemi gabuar në momente të veçanta. Kalendari na ka servirur një ngjeshje sepse janë tre ndeshje brenda javës. Nesër kemi ndeshje me Skënderbeun, që si gjithë skuadrat e tjera meriton vlerësimin dhe respektin e duhur.

Ernest Gjoka? Padiskutim që gjithmonë ndryshimet kanë risk për mirë. Vjen një frymë e re, ka motiv tjetër skuadra, lojtarët duhet të japin më të mirën që dhe trajneri t’i shikojë, kështu është disavantazhi ynë. Ne e vlerësojmë këtë skuadër, luan mirë, ka kilometra, lojtarët lëvzin, bëjnë volum dhe janë mirë fizikisht. Janë skuadër që kanë realizuar, për mungesë eksperience dhe fati mund të jenë ndëshkuar. Për mua si gjithë skuadrat e tjera ka shumë avantazhe dhe pika të forta.

Çdo gjë në futboll dhe përsa i përket gjykimit është relative. Unë shpresoj që gabimet të jenë njerëzorë dhe jo me dashje sepse ndikon direkt. Më shumë i kërkoj llogari vetes sime dhe skuadrës, i kam thënë skuadrës që arbitrat janë aktorë, pra njerëz që gabojnë, pra gabimi të jetë i minimizuar, njerëzor. Ne do punojmë fort, do jemi korrekt dhe përsa i përket “fair-play” me arbitrat. Çdo njeri duhet të marrë përgjegjësitë e veta, përgjegjësia duhet të jetë e secilit. Çdo njeri investon dhe pret djersën e derdhur, ka dhe nga ato momente që i themi nerva loje.

Mungesat- “Ndikon sepse Dembele është nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Janë dhe dy të tjerë të dëmtuar, Gjumsi jo 100% dhe Meta që u dëmtua sërish. Influencon skuadrën, megjithatë kam besim te lojtarët sepse të gjithë janë pjesë e skuadrës. Shprehja shumë e bukur është: “Të gjithë janë të rëndësishëm, asnjë nuk është i pazëvendësueshëm”. Çdo njeri meriton kujdesin e duhur, do i japim fanellën dhe çdo lojtar ka për detyrë që fanellën ta meritojë”.

Related posts

“Nuk është pak të dominosh Vllazninë në Shkodër”, Ilir Daja fjalë të ëmbla për presidencën: Korrektësi maksimale në pagesa

Vllaznia kujtohet vonë të luajë futboll dhe ti bëj dëm Dinamos, inatin ia nxjerrin arbitrit (video)

Elbasani fiton pas 8 javësh mungesë dhe “zhyt” Bylisin në fundin e klasifikimit