Agjencia Ndërkombëtare e Vlerësimit Moody’s, ditën e djeshme, ka publikuar rishikimin periodik të saj për Shqipërinë, një qëndrim mbi pozicionin e vendit tonë.
Pas renditjes më të fundit në vlerësimin në “B1” dhe me perspektivë “të qëndrueshme” në muajin Tetor të këtij viti, agjencia thekson përsëri pozicionimin e qëndrueshëm të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht dy goditjeve të njëpasnjëshme, tërmetit dhe pandemisë.
Ky rishikim periodik nuk ndryshon qëndrimin për institucionet dhe qeverisjen, duke rikujtuar pozitivisht angazhimin e vendit në procesin e integrimit në BE. Gjithashtu, konfirmon qëndrimin për faktorin ekonomik dhe fiskal, pas daljes së suksesshme në tregjet ndërkombëtare në 2020.
Në raportin e fundit të renditjes, Moody’s ka njohur efektet e pandemisë në ekonomi dhe ndikimin e pashmangshëm, por të përkohshëm negativ edhe në parametrat fiskalë. Megjithatë, kushtet e forta e të qëndrueshme ekonomike në vitet e fundit dhe përpjekja e përbashkët nga autoritetet për të luftuar ekonominë informale kanë përmirësuar tregun e punës.
Në korrik 2020, qeveria miratoi amendime të mëtejshme në Ligjin Organik të Buxhetit, duke përfshirë një rregull fiskal për një balancë primare të paktën zero duke filluar nga viti 2023 e në vijim. Agjencia ka vlerësuar konsolidimin fiskal dhe rikthimin në indikatorë makroekonomikë fiskalë pozitivë në vitin e ardhshëm.
Në vlerësimin e saj të fundit, (përpara një muaji) Agjencia parashikon se ekonomia do të fillojë të ri-mëkëmbet, që prej vitit të ardhshëm (2021), ku parashikon një rritje pozitive prej 5%. Angazhimin drejt rrugës së Bashkimit Evropian dhe diversifikimi i ekonomisë dhe burimeve energjetike po vazhdon përmes prioriteteve politike dhe projekteve novatore në sektor, duke reduktuar varësinë nga burimet ujore.