Mladen Milinkoviç është në udhëkryq. E ardhmja e trajnerit të Partizanit në krye të pankinës së kuqe nuk dihet ende, me humbjen 3-0 ndaj Tiranës që ka tronditur “themelet” e këtij klubi.
Pikërisht tekniku serb ishte në qendër të vëmendjes në “Rubrikën Sportive” ku u diskutua gjatë për të, por edhe për pagën që merrte.
Siç cituan gazetarët e këtij emisioni, Mladen Milinkoviç kishte një pagë prej 9 mijë eurosh në muaj në klubin e kuq bashkë me ndihmësit e vet. Për nga niveli i kampionatit dhe ajo që prodhon Superliga Shqiptare padyshim konsiderohet e majme.
Nuk mbetet gjë tjetër veçse të shihet se si palët do të dakordësohen pasditen e sotme, atëherë kur është programuar edhe një takim mes presidentit Demi dhe trajnerit serb. Gjasat janë që ai të largohet, por pritet se cila do të jetë “gjuha” që do të gjejnë palët për t’I dhënë fund bashkëpunimit. Në të kundërt, kostoja financiare prej 90 mijë eurosh, sikurse janë kontratat 10-mujore të futbollit, mund të rëndojë shumë.