Historia e dhimbshme e profesor Gaspër Ljarja nga Universiteti i Bolonjës, deri në Burgun e Ballshit
Nga: Bajram Mjeku
Sivjet birra e njohur “Tirana”tirana, mbushë 60-vjetorin e plasimit të saj në treg, por pak kush mund të di se birra “Tirana” u prodhua falë punës së shkodranit Gaspër Ljarja dhe dy kimistëve rusë, Aleksandër Dimitrijeviq Romanov dhe Anatoli Vladimiroviq Teplickij.
Gaspër Ljarja i njohur me emrin Gaci, u lind më 20 janar të vitit 1907 në Shkodër, i cili mbaroi studimet në shkencat e kimisë në Universitetin e Bolonjës dhe mori titullin Profesor. Gaci ishte vëllai i Karl Ljarjës, i cili kishte mbaruar studimet për gjuhë gjermane në Vjenë dhe është axha i aktorit të njohur shqiptar, Rikard Ljarja.
Mbas studimeve, Gac Ljarja në fillim punoi si profesor i kimisë në Gjimnazin e Shkodrës e pak kohë më vonë u emërua drejtor i Gjimnazit.
Nga viti 1945 e deri në vitin 1969, kur e arrestoi Sigurimi i Shtetit, Gac Ljarja punoi në disa fabrika të vendit si ekspert i shkencave të kimisë, si në Korçë, Pogradec, Durrës, Kuçovë, Elbasan dhe në qytete tjera të Shqipërisë.
Në vitin 1948 u transferua në Fabrikën e njohur të birrës në Korçë, e cila u ndërtua nga italianët në vitin 1927 dhe aty punoi deri më 22 mars të vitit 1969, prej nga u transferua në Tiranë, ku edhe u prodhua për herë të parë birra “Tirana”.
Gjatë kohës sa punoi në Korçë, Gac Ljarja zbuloi një element të rëndësishëm me emrin Lupolon dhe falë zbulimit të këtij elementi, u ndërpre eksporti i birrës që vinte nga Çekia. Gjatë kësaj kohe, Gac Ljarja prodhoi edhe një konjak të njohur, të cilit i vuri emrin “Shputnik”, por nuk u hodh në treg, ndoshta për shkak të arrestimit të tij.
Më 22 mars të vitit 1969, në moshën 60-vjeçare, jeta e Gac Ljarjës e mori teposhtëzën. Ai u arrestua së bashku me të ashtuquajturin Grupi i Polakëve dhe mbas një procesi të montuar politik, u dënua me 10 vjet burg, të cilin e vuajti në Burgun e Ballshit.
Djali i tij, Niko Ljarja, kujton ditën e parë kur doli nga burgu më 22 mars të vitit 1979 dhe thotë: “Për ironinë e fatit, atë ditë ndodhi një satisfaksion shpirtëror për babain. Nga Fieri erdhëm me një kamion rasti dhe nga rruga e Kavajës mbërrijtëm në Tiranë. Kur kaluan afër Fabrikës së birrës ‘Tirana’, babai ndjeu një kënaqësi të fuqishme emocionale. Më shtrëngoi dorën dhe me zë të ulët më tha: ‘Shiko fabrikën, sepse edhe ti ke kujtime kur ishe fëmijë dhe vije të më vizitoje…’”
Vetëm pesë javë më vonë pasi u lirua nga burgu, më 7 maj të vitit 1979, Gaspër Ljarja ndërroi jetë. Familja Ljarja humbi kryefamiljarin e tyre, ndërsa Shqipëria njërin ndër ekspertët më të mirë të kohës, karriera profesionale e të cilit u këput nga regjimi, i cili nuk përtonte t’i eliminonte ekspertët më të mirë të vendit.
Nga e majta në të djathtë: Gaspër Ljarja, Frederik Shiroka dhe miku i tyre me mbiemrin Koliqi.