Milan mposhti Inter me rezultatin 3-0 dhe u bë finalisti i parë i kompeticionit. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë, zikaltërit e nisën fort në “San Siro”, me mbështetjen e publikut, por pas traversës së Dimarco (22’) dhe një rasti të humbur nga Lautaro, ishin kuqezinjtë që kaluan në avantazh me një goditje të saktë me kokë të Jovic në minutën e 36′, që mposhti portierin Martinez. Në fillim të pjesës së dytë, serbi realizoi dygolëshin personal (50’), duke përfituar nga një rrëmujë në zonë pas një goditjeje nga këndi nga e djathta dhe një devijimi të Barella.
Në minutën e 85′, ishte Reijnders që vulosi ndeshjen me golin e tretë. Milan tani pret të mësojë emrin e kundërshtarit në finalen e Romës më 14 maj, ku Bologna është favorite pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Empolit. La Gazzetta dello Sport ka bere kritike të fortë të performancës së dy lojtarëve të Interit – Mehdi Taremi dhe Kristjan Asllani – pas një ndeshjeje zhgënjyese dje:
Taremi – Nota 4.5:
Vlerësohet për vetëm një moment të mirë – pasimi për Lautaron – por për pjesën tjetër të ndeshjes kritikohet për mungesë vazhdimësie dhe lëvizje të ngadalta. Kritika e fortë është se nuk jep kurrë përshtypjen e të qenit në sinkron me skuadrën, as në një ndeshje kaq të rëndësishme si derbi.
Asllani – Nota 4 – “Më i dobëti”:
Cilësohet si lojtari më i dobët i ndeshjes. Kritikohen vendimet e tij, pozicionimi dhe mungesa e qartësisë në fushë. Theksohet se ka ende pasiguri psikologjike, gabon shpesh dhe mban shumë topin. Edhe pse bashkëlojtarët e kërkojnë shpesh, ai nuk arrin kurrë t’u kthejë besimin e dhënë.