Nuk ka dyshim që një nga makthet më të mëdha të nënave apo gjysheve janë njollat në rroba.
Të vështira për t’u hequr e ndonjëherë edhe të pamundura, njollat mund të shkatërrojnë një rrobë të re në fare pak sekonda.
Më të këqijat janë njollat e vajit, pasi janë më të vështirat për t’u hequr, gjithashtu duken edhe të pakëndshme në copat e ndryshme të veshjeve.
Në këtë artikull të AgroWeb.org, ju tregojmë disa mënyra të thjeshta dhe shumë natyrale si të shpëtoni rrobat, mbulesat apo çdo gjë tjetër nga njollat e vajit.
Ndiqni më poshtë të gjitha këshillat hap pas hapi dhe rezultati do t’ju kënaqë.
Ilaçi i enëve
Gjendet në çdo shtëpi dhe përdoret çdo ditë, por që sot nuk do ta përdorni më vetëm për të larë enët.
Ilaçi i zakonshëm i enëve që keni në shtëpi do t’ju vijë në ndihmë edhe për të hequr njollat e vajit tek materialet e copës.
Ky produkt pa të cilin me siguri nuk bëni dot në shtëpi, është shumë efikas.
Ndaj mjafton të lyeni pjesën ku ndodhet njolla me pak ilaç enësh.
Për një rezultat të sigurt e të menjëhershëm, është mirë që njollën ta lyeni menjëherë pasi ka rënë mbi rrobë.
Më pas lageni pak me ujë të freskët dhe futeni të lahet në lavatriçe, duke bërë një larje si zakonisht.
Soda e bukës
Gjithashtu shumë i gjendshëm në shtëpi dhe shumë efikas në kuzhinë edhe ky produkt do t’ju ndihmojë në luftën kundër njollave.
Soda e bukës është e njohur për aftësitë e saj pastruese, prandaj përdoreni sa herë të keni vështirësi të tilla.
Mjafton të lagni njollën me pak ujë dhe të shtoni pak sodë buke sipër, derisa të formohet një pastë e trashë.
Sipas nevojës mund të shtoni pak ujë herë pas here dhe të fërkoni mirë me duar apo me një furçë tek pjesa ku ndodhet njolla.
Lëreni sodën të veprojë për 2-3 minuta dhe më pas mund ta lani rrobën si zakonisht.
Pudra
Pudra mund të bëjë mrekulli tek njollat e vajit, pasi ka fuqi thithëse dhe mund t’i zbehë ato.
Një arsye më shumë për të mbajtur një shishe pudër në shtëpi, janë njollat e vajit.
Mbi njollën e vajit hidhni një sasi të madhe pudre, derisa të mbulohet plotësisht.
Lëreni të mbuluar nga pudra pjesën problematike për të paktën 2 orë ose deri në 24 orë.
Në këtë mënyrë pudra do të thithë të gjithë vajin e derdhur mbi rrobë.
Pasi të kalojë kjo kohë mund t’i lani rrobat tuaja në lavatriçe dhe njolla duhet të jetë zhdukur.
Uthull e bardhë
Përveçse shumë dezinfektuese dhe zbutëse shumë e mirë për rrobat, uthulla e mollës është shumë efikase edhe kundra njollave.
Aplikojeni direkt mbi pjesën që doni të pastroni, duke e lagur dhe mbuluar plotësisht atë.
Lëreni të veprojë për 30 minuta dhe më pas shpëlajeni me ujë.
Pasi rroba të jetë tharë njolla do të jetë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë.
Me këto mënyra kaq të thjeshta dhe natyrale, ju do të mund t’i harroni njollat e këqija një herë e përgjithmonë.
Burimi: AgroWeb.org