Nuk ndalet kurrë merkatoja, pavarësisht se seksioni veror u mbyll të hënën e kaluar. Në distancë prej një jave, në fakt, Interi ka nisur të mendojë për të ardhmen dhe shanset e mundshme që do të mund të lindin me rastin e qershorit që vjen kur shumë lojtarëve do t’u skadojë kontrata.
Mes tyre, në axhendën e klubit zikaltër ka hyrë edhe emri i Serxho Agueros. Sulmuesi argjentinas, mes më të mirëve në rolin e tij në dekadën e fundit, pavarësisht moshës (32 vjeç të mbushura në qershor) ka ende marzhe të rëndësishme për të bërë diferencën dhe do të lindte mundësia e një transferimi në Milano në rast se zikaltrit do të detyroheshin të shisnin Lautaro Martinezin.
Mançester Siti, ndër të tjera, nuk ka hequr dorë nga një sulm i ri për Leo Mesin, edhe ai në skadencë kontrate qershorin që vjen: për t’i krijuar hapësirë “Pleshtit” mund të nevojitet një sakrificë në skuadër.

KANTE – Ndërkohë, pavarësisht afrimit të Vidalit, Ngolo Kante mbetet gjithmonë emri i parë i kërkuar nga Konte për mesfushën: zikaltrit e tentuan në verë, por kostoja prej 50 milionë eurosh e kërkuar nga Çelsi frenoi gjithçka.Sipas mediave në Francë, bisedimet mund të rihapen në janar, pasi raporti mes mesfushorit dhe trajnerit Frenk Lampard është tendosur pas një konflikti të kohëve të fundit. Interi mund ta ritentojë, por nevojitet gjithmonë një largim me peshë.