Ish-drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë Tiranë, Viola Sterjo është arrestuar për mashtrim. Ajo e ka kryer veprën penale në periudhën mars-nëntor të vitit 2020, periudhë kur nuk ishte në Bashkinë e Tiranës.
Dyshohet se ajo ka mashtruar pesë subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë euro deri në 90 mijë euro. Sot në media qarkulloi një foto e Viola Sterjos së bashku me Erjon Veliajn. “Me Violën e mirë” është diçitura me të cilën kryebashkiaku i Tiranës e shoqëron selfien, ku të dy shfaqen duke qeshur.
Viola Sterjo është një prej patronazhistëve të Partisë Socialiste, që u drejtuan nga Erjon Veliaj. Sa i përket karrierës në administratë, Sterjo ka punuar në Bashkinë e Tiranës, si drejtoreshë e Mjedisit. Ka qenë drejtoreshë në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit dhe për momentin ishte drejtoreshë ne Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Viola Sterjo nuk është e para patronazhiste që përfshihet në veprimtari të paligjshme. Një patronazhist i famshëm i PS ka qenë edhe Mehmet Greca, personi që u kap me euro, karta identiteti dhe lista pak ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit nga vullnetarët e Partisë Demokratike, në vendin ku u vra Pjerin Xhuvani.
Një tjetër patronazhist i arrestuar është zjarrfikësi Ndriçim Harka, që drejtonte një grup të trafikut të kokainës në Gjermani. Partia Socialiste i kishte besuar Ndriçim Harkës vëzhgimin, monitorimin dhe përgjimin e 67 banorëve të Tiranës.