Ndërkohë që nuk ka ende të dhëna lidhur me autorësinë e vrasjes së të riut Regis Runaj, të tjera detaje dalin nga hetimi.
një orë para vrasjes të riun e kanë telefonuar dhe ka qenë pikërisht kjo telefonatë që dyshohet se e ka nxjerrë në takim 23 vjecarin, që më pas u gjet i pajetë.
Policia ka nisur hetimet rreth tabulateve te telefonit me qellim identifikimin e autoreve. Ajo që dihet tashmë, dhe një nga pistat e forta ku janë përqendruar hetimet është fakti që i riu ka qene mik i Emiljano Ramazanit ekzekutuar me 5 plumba pistolete ne date 20 korrik.
DENONCIMI
Burimet nga Policia bënë të ditur se kanë qenë qytetarë të rastit ata që kanë denoncuar në Polici, se një person ndodhej i shtrirë në një rrugicë të errët, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Policia, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar kufomën si Regis Runaj, 22 vjeç.
Ky i fundit edhe pse kishte humbur jetën në vendin e ngjarjes, Policia në një komunikatë zyrtare pohoi se ai gjeti vdekjen në spital edhe pse trupi i tij kishte qëndruar në vendin e ngjarjes më shumë se një orë pas deklarimit të Policisë.
Gjithsesi, 22-vjeçari dyshohet se është masakruar për vdekje nga më shumë se dy persona, të cilët fillimisht e kanë marrë në një makinë dhe pikërisht në vendin ku edhe është gjetur 22- vjeçari, ata e kanë qëlluar shtatë herë me thikë dhe më pas janë larguar nga aty. Në vendin ku u gjet i vdekur 22-vjeçari, terreni është i errët, pasi rrugica nuk ka drita. Kjo ka bërë që autorët të veprojnë në qetësi dhe pa u vënë re nga askush.
HETIMI
Dyshimet e para të Policisë për vrasjen e të riut hidhen tek e vetmja pistë, tek ajo e vrasjes në mënyrë mafioze të Emiljano Ramazanit, i cili u ekzekutua para banesës së tij teksa parkonte makinën.
Vetëm dy ditë më parë Policia mundi të gjente armën me të cilën u vra Ramazani, ndërsa dyshimet hidhen te fakti se 22-vjeçari Rigers Runaj ka qenë mik me Emiljanon dhe ndoshta ka ditur ndonjë sekret rreth krimit.
Gjithsesi Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e vrasjes së tij, ndërsa edhe në këtë rast është bërë i mundur sekuestrimi i kamerave në rrugën kryesore, para rrugicës ku edhe ka ndodhur vrasja e të riut për të bërë të mundur identifikimin e ndonjë mjeti të dyshimtë që mund të ketë kaluar rreth orës ku edhe ka ndodhur vrasja e të riut.
Ndërkohë, burime nga uniformat blu kanë bërë shoqërimin e disa personave, të cilët i kanë marrë dëshminë lidhur me masakrimin e të riut.
Mësohet se asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë detaj që të vlejë për zbardhjen e ngjarjes, pasi askush nuk e ka parë momentin kur edhe është vrarë i riu. Ajo çfarë Policia po heton janë pamjet e kamerave të sigurisë që janë marrë në bizneset që ndodhen në segmentin rrugor ku është gjetur i vrarë 22-vjeçari.
SI U EKZEKUTUA EMILJANO RAMAZANI TEKSA PARKONTE MAKINËN POSHTË SHTËPISË
Emiljano Ramazani u ekzekutua rreth dhjetë ditë më parë, teksa kishte dalë nga ambientet e një palestre dhe po shkonte në shtëpi. Ai shkonte në një palestër, që ndodhet në lagjen “Beqir Dardha” ku qëndronte rreth një orë dhe më pas kthehej në banesë. Pasi kanë llogaritur kohën dhe orën, autorët dyshohet se kanë ndjekur çdo lëvizje të tij. Nga kamerat e sekuestruara është vënë re një person i dyshimtë, i cili përshkonte territorin e pallatit ku jetonte 39-vjeçari. Emiljano Ramazani u ekzekutua me pesë plumba në makinën e tij. Viktima po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij. Për vrasjen e 39-vjeçarit, tri ditë më parë Policia njoftoi arrestimin e dy personave, në servisin e të cilëve është gjetur arma me të cilën u ekzekutua “Rramani”. Albert dhe Seit Mananhasa dolën dje para Gjykatës së Elbasanit, ku u mësuan me masën e tyre të sigurisë “Arrest me burg”. Seanca, e cila nisi në orën 11:30 të ditës së djeshme, u drejtua nga gjyqtari Bujar Musta, i cili për 4 orë ka dëgjuar pretencën e prokurorisë dhe palën e akuzuar, duke vendosur ndaj tyre arrest me burg.