Koeficienti i Inteligjencës (IQ), është parametri më i njohur dhe më i përdorur për të matur inteligjencën e njerëzve, veçanërisht në botën perëndimore. Falë studimeve të James Robert Flynn midis viteve 1938-1985, një rritje e ndjeshme e inteligjencës në popullatë u vu re në të gjithë botën e industrializuar.
Ai u quajt Efekti Flynn. Por që nga fillimi i viteve 2000, ka pasur një përmbysje të kësaj prirjeje. Pra koeficienti i inteligjencës në shoqëritë e industrializuara ka nisur të bjerë, në një përmasë aq shqetësuese sa që fenomeni i ri ka marrë një emër tjetër: Kundër-efekti Flynn.
Me pak fjalë, mund të themi se prej gati 10 vjetësh, fëmijët janë më pak inteligjentë se prindërit e tyre. Për këtë zhvillim negativ janë hipotetizuar shkaqe të ndryshme si gjenetika, ushqimi, ndotja.
Në vitin 2018, një studim me titull “Efekti Flynn dhe ndryshimi i tij, janë që të dyja të shkaktuara nga mjedisi”, Bratsberg dhe Roberger, ekspertë të Qendrës Ragnar Frisch për Kërkime Ekonomike në Universitetin e Oslos, Norvegji, konfirmuan se shkaqet e Kundër-efektit Flynn janë identifikuar më shumë tek faktorët mjedisorë.
Po cilët janë këta faktorë mjedisorë?
Një nga më kryesorët, gjendja e të cilit është alarmante, është varfërimi i gjuhës. Ne e dimë prej disa kohësh edhe falë shumë studimeve, se sa shumë janë të lidhura me gjuhën mendimi dhe aftësia për të menduar.
Gjuha është mjeti kryesor i përpunimit mendor dhe ushqimi i saj është kujtesa, e cila gjithsesi zvogëlohet vetvetiu nëse nuk ka një përpunim të vazhdueshëm mendor të informacioneve që ruhen. Me pak fjalë, një rreth që nuk është vetëm vicioz por edhe reduktues.
Në fakt varfërimi që po shohim, nuk ka të bëjë vetëm me fjalorin, d.m.th., me sasinë e termave që përdorim, por dhe mbi të gjitha me zhdukjen e përpunimit gjuhësor, siç është humbja e kohëve dhe modaliteteve foljore. Ndajfolja dhe kushtorja janë gjithnjë e më të vjetruara dhe të hequra gabimisht.
Ndërsa e pakryera, pjesoret, të ardhmet e përbëra… pra veprimi reduktohet gati gjithmonë tek e tashmja, duke e thjeshtuar mendimin në një “këtu dhe tani” tejet këmbëngulës, dhe duke zhdukur çdo projeksion, hipotezë, papërsosmëri dhe rrjedhimisht edhe rritje.
Duke humbur ndajfoljen, qëllimi i së cilës është të shprehë një dyshim, një pasiguri, një hipotezë, ne e humbasim mendimin e mundësisë, të nxitjes, të motivimit. Dhe duke humbur kushtoren, mënyrën që tregon kushtin që duhet të plotësohet që të ndodhë një ngjarje, ne humbasim aftësinë për të perceptuar dhe konceptuar kufirin, dhe për ta pranuar se gjendja jonë është vërtet e kufizuar.
Duke humbur pjesoren, ne humbasim papërcaktueshmërinë, ashtu si duke humbur të papërsosmërinë e humbim “përgjithmonë” që ka nxitur gjithnjë mendimet më madhështore dhe reflektimet më të thella tek njeriu. Kompleksiteti gjuhësor që po humbasim, çon në një regres në nivelet e mëparshme të evolucionit.
Pra humbja e gjuhës çon në një involucion dhe jo evolucion. Nëse humbasim kompleksitetin e mendimit kthehemi tek veprimi normal, por nëse humbasim aftësinë për të komunikuar dhe shpjeguar, kthehemi tek veprimet agresive.
Ndoshta shkaku i rritjes dhe përdorimit të dhunës qëndron këtu: nëse nuk mund ta çlirojmë dot tensionin duke e komunikuar atë të tjerëve, nëse nuk mund të flas dot për të treguar arsyet e mia… atëherë gjëja e vetme që më mbetet të bëj është të sulmoj të tjetrin.
Në këto kushte dhuna shfaqet kudo dhe kuptohet se pjesa e parë e çdo psikoterapie tani i kushtohet njohjes së emocioneve. Pra të mësuarit sesi të përshkruhet ajo që ndjeni përbrenda, por edhe ajo që dëshironi, ajo që do të bëni nëse do të njihnit më mirë rrethanat etj.
Pra sot psikoterapia duket se e merr përsipër këtë angazhim, duke iu përkushtuar një terapie ekspresive, që përpiqet të rehabilitojë këtë degradim të madh, që është me gjasë edhe ndër shkaqet kryesore të ngjarjeve të rënda që ushqejnë kronikën e zezë.
Le ta nisim këtë punë aty ku ndaluam dikur, aty ku ishim, dhe le të imagjinojmë se ku do të jemi, të kushtëzuar nga një “nëse” do të jemi, dhe atëherë mund të jemi ata që ishim dikur.
Burimi: Huffpost.it