“E gjithë bota u solidarizua me përpjekjet e popullit të Ukrainës për rezistencë dhe liri”, ishte mesazhi që u dha nga Tirana këtë 24 shkurt që shënon dhe 1-vjetorin e pushtimit rus ndaj Ukrainës.
Tirana në shenjë solidariteti zhvilloi një marshim ku mesazhet mbështetëse të Perëndimit dhe Shqipërisë nuk munguan.
Marshimi në Tiranë nisi nga rruga “Ukraina e Lirë” dhe u ndal te parku “Europa e Lirë”, ndërsa ambasadorët e vendeve të BE-së dhe SHBA-së pohuan qartësisht “bota qëndronë me Ukrainën, Putini nënvlerësoi vullnetin e popullit ukrainas”.
BE: Refuzuam të shihnim fytyrën e vërtetë të Rusisë
Gjatë fjalës së saj ambasadorja e BE, Christiane Hohmann tha se Europa u gabua duke mos parë “fytyrën e vërtetë të Rusisë”, por sot ajo do të jetë gjithmonë në krah të Ukrainës për të mbrojtur vlerat e përbashkëta.
“U gabuam dy herë, e para refuzuam të shihnim deri në momentin e fundit Rusinë për atë që ishte dhe është në të vërtetë, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë në OKB që ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Kjo është agresion i pastër dhe shkelje e kartës së OKB.
Për shumë u gabua për herë të dytë, duke ulur shanset tuaja ushtarake pas 24 shkurtit. Kurajo juaj, kanë sjellë më shumë se admirim. Jeni burim frymëzimi. Bashkimi europian, shtete që dëshirojnë të bëhen pjesë e BE, Shqipëria dhe Ukriana, ndajmë të njëjtat vlera të demokracisë dhe paqes. Ne pranojmë ndryshimin për ballë këtyre sfidave, pasi këto na bajnë neve që të rritemi. Të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta dhe ky është një premtim”, tha Hohmann
SHBA: Putini gaboi kur mendoi se Perëndimi ishte i përçarë
Edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim tha se Putini gaboi kur mendoi se Perëndimi ishte i përçarë, pasi sot është më i bashkuar se kurrë.
“Presidenti Biden i kujtoi botës që Putini e kishte tërësisht gabim kur mendoi për të imponuar vullnetin e tij në Ukrainë, mendonte se Perëndimi ishte i përçarë, e kishte gabim. Të gjithë ne besojmë në lirinë dhe vlerat tona. Shqipëria qëndron me Ukrainën, SHBA dhe e gjithë bota qëndron me Ukrainën. Bota e di dhe ne e kemi parë, nuk do të harrojmë pasojat e luftës dhe torturat nga Kremlini”, tha Kim.
Britania e Madhe: Bashkimi ynë, e vetmja përgjigje ndaj luftës
Nga ana tjetër, ambasadori britanik Alastair King-Smith shprehu bindjen se bashkimi i Europës është e vetmja përgjigje ndaj luftës dhe dhunës.
“E gjithë Britania e Madhe mbajti frymën para një viti dhe u solidarizua me popullin ukrainas. Ne do të bashkëpunojmë për të thënë që Rusia nuk mund të minojë jo vetëm stabilitetin e Ukrainës, por as të Europës dhe Ballkanit Perëndimor. Sot luftojmë për një të ardhme të lirë dhe jemi në krah të Ukrainës. Bashkimi ynë është e vetmja përgjigje ndaj dhunës dhe luftës”, tha ai
Spanja: Sulmi rus, kërcënim i patolerueshëm
Ambasadori Alvaro Renedo Zalba, në emër të Spanjës shprehu solidaritetin e plotë dhe angazhimin e plotë për të ndihmuar Ukrainën.
“Sulmi nga Rusia ndaj Ukrainës është kërcënim i patolerueshëm në rregullat ndërkombëtare ndaj demokracisë dhe të drejtave ndërkombëtare të njeriut. Kryeministri i Spanjës dje e nënvizoi plotësisht këtë. Sot BE dhe NATO janë më të bashkuar dhe më të fortë se kurrë. Ne do të qëndrojmë krah Ukrainës sa kohë të jetë e nevojshme”, tha ai.
Peleshi: Ukraina nuk po lufton vetëm për veten
Në fjalën e tij Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi garantoi mbështetjen që Shqipëria e vogël por me zemër të madhe do vijojë ti japë Ukrainës dhe popullit të saj me besimin se fitorja nuk do të vonojë.
“Ukraina na dhemb të gjithëve. Sot në Ukrainë nuk po luftohet vetëm për Ukrainën por për të gjithë këtë botë të bashkuar të vlerave. Historia na ka treguar se ngjarjet nuk mund të shkojë dot mbrapsht, në kohën e luftës së një shteti ndaj një shteti për territore”, tha Peleshi.
Veliaj: Tirana nuk do lejojë që përpjekjet e Ukrainës për liri të harrohen
Mikpritësi i këtij marshimi solidariteti për Ukrainën, Erion Veliaj tha se Tirana nuk do të lejojë që bota të harrojë përpjekjet e popullit ukrainas për liri.
“Para pak muajsh isha në Kiev dhe takova Zelenskyn dhe kryebashkiakun e Kievit. Nuk e harroj bisedën me presidentin kur tha se kisha dy frikëra. E para se do niste agresioni dhe pushtimi. Kjo ndodhi. Frika e dytë ishte nëse bota do na harrojë, dhe për këtë tha dua ndihmën tënde dhe gjithë popujve që kjo e dyta të mos ndodhë. Jo vetëm nuk harron Tirana, por jemi të mobilizuar ashtu si mundemi për t’u solidarizuar me Ukrainën mike dhe europiane. Jam krenarë që sot Tirana ka një rrugë që quhet “Ukraina e Lirë” dhe nuk ka një fabul më të bukur që ta nisësh nga “Ukraina e Lirë” deri te parku “Europa e Liri”, tha Veliaj.
Në fund, ambasadorë e ministra, qytetarë dhe shtetas ukrainas prezent në marshim, njëzëri brohoritën “Slava, Ukraina”. Ky është marshimi i dytë në shenjë solidariteti për Ukrainën, kur qytetarët shqiptarë u bënë bashkë më 9 prill 2022 për herë të parë për të mbështetur një popull mik që ndan vlera të përbashkëta dhe lufton për liri.