Rezultati 3-1 është vetë i komplikuar për tu përmbysur, sidomos duke patur parasysh nivelin e Besiktas. Pastaj kur shtohen probleme të tjera, bëhet akoma më e vështirë. Rezultatet që kanë ardhur nga testet të cilave iu nënshtrua Albi Doka, pas kthimit nga Stambolli, nuk janë aspak ato që priste tekniku i bardhebluve Orges Shehi.
Mbrojtësi i djathtë ka pësuar një lodhje muskulare, që do ta pengojë të dalë në fushë për ndeshjen e kthimit kundër gjigantit turk. Rekomandimi është 4 ditë pushim i plotë për mbrojtësin Doka. Në këtë pikë, për 26 vjeçarin prezenca në ndeshjen e së enjtes në Arena Kombëtare është e pamundur. Doka doli nga fusha në Vodafone Park, në transfertën e vajtjes, në minutën e 58’. Lojtari ndjeu një pickim në muskul, që nuk e lejonte dot të vazhdonte ndeshjen. 26 vjecari u zëvendësua nga Rimal Haxhiu.
Sipas të gjitha gjasave, ai do të jetë edhe padroni i krahut të djathtë në ndeshjen e kthimit kundër Besiktas. Haxhiu në fakt bëri një paraqitje të mirë, duke u futur në tonus në fushë dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe përpara. I tij ishte asisti i golit të vetëm të Kaina Nunes në minutën e 83, në një nga daljet e zakonshme ofensive të mbrojtësit.