Sopoti në Kategorinë e Dytë po has probleme financiare. Në takimin e fundit për kampionat, zhvilluar ndaj Valbonës në Tropojë, lojtarëve u është kërkuar të paguajnë nga xhepi. Futbollistët janë lajmëruar vetëm një ditë para se të niseshin për Tropojë, se për arsye të pushimit të administratës, procedura e lëvrimit të fondit nuk është bërë.
Në kësi kushtesh, lojtarët duhej ta paguanin transportin dhe hotelin nga xhepi, me premtimin se vetëm disa ditë më vonë do t’u ktheheshin paratë në llogaritë bankare. Pasi u është komunikuar ky njoftim, lojtarët janë përgjigjur se nuk kanë mundësi vetë të sigurojnë shumën financiare dhe se mirë do të ishte të gjendej një zgjidhje tjetër.
Në fund ngërçi u zgjidh prej dikujt tjetër. Duke bërë një sforco të madhe dhe pa e pasur detyrim, ka qenë drejtori teknik, Besnik Çota, që i ka hequr shpenzimet e transfertës në Tropojë. Megjithatë Sopoti do të luajë sërish ndaj Valbonës për zonën Play-Off në Tropojë dhe mendohet se ekipi nga Librazhdi do të udhëtojë me të rinjtë.