Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi është kërcënuar me jetë.
Mësohet se denoncimin e ka bërë vetë gjyqtarja, e cila i është drejtuar me një kërkesë për mbrojtje të posaçme Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në kërkesë, ajo shprehet se ka marrë një letër, ku kërcënohej me jetë, e ndër të tjera i përmendeshin fëmijët dhe familja e saj.
Zanafilla e kërcënimit duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror.
Kërkesa e gjyqtares:
Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Arnisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë.
Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time.
Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.
Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.
Pjesë nga letra kërcënuese:
E dashur Arnisa.
Keni dy fëmijë ….. dhe ….. Mendoni për ta!
Si mund të rroni ju, e jo ata e kjo është e vërtetë.
Me respekt.
Letra mendohet që të ketë ardhur nga burgu.