Kategoria Superiore/ Çela në hall, Kastrioti i tij me shumë mungesa ndaj Tiranës (EMRAT)

Në fundjavë, ekipi i Kastriotit do të përballet me Tiranën, me shpresën për të marrë një rezultat pozitiv e për të mbajtur shpresat për mbijetesë. Në skuadër ka moral të lartë pas fitores me Kukësin, por ajo që prish planet e trajnerit Çela janë ndëshkimet me kartonë të tre titullarëve. Mësohet se mbrojtësi i majtë, Armando Rami, si dhe sulmuesit e krahut, Bedri Greca dhe Redon Mihana, nuk do të jenë të gatshëm kundër bardhebluve.

Sigurisht që kjo ia vështirëson shumë ndërtimin e formacionit trajnerit Çela edhe pse alternativat te krutanët nuk mungojnë. Greca dhe Mihana po kalonin një formë shumë të mirë, me këtë të fundit që ka arritur të shënojë tre gola të rëndësishëm. Gjithashtu Rami prish jo pak punë sa i përket krahut të majtë të mbrojtjes, aty ku si alternativë është vetëm Sulkja.

Kastrioti ka ditur të befasojë Tiranën në sezonet e fundit dhe Çela do të mundohet të ndërtojë një strategji për të bllokuar bardheblutë, të cilët po kalojnë një formë të mirë. Fakti që luhet sërish në Elbasan dhe Kastrioti është mësuar me këtë fushë, e ngroh stafin teknik, për vetë faktin se edhe ana psikologjike e lojtarëve është më e mirë.

Related posts

Klubet shqiptare në Kupat e Europës, RTSH “surprizon” tifozët me ndeshjen që do të transmetojë

E FUNDIT/ Klubi i Kategorisë së Parë bëhet me president të ri, Bashkia shet aksionet

U largua nga Vora, zbulohet klubi i ri i Jasmin Raboshtës