Prej 15 shekujsh, Kalaja e Krujës qëndron mbi një kodër shkëmbore, dëshmitare e luftrave dhe e jetës së egër të qytetit të Krujës,një herë e një kohë, qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi, e bukur dhe e pashembur ndonëse ka përballuar sulme të panumërta.
Në një kohë kur perandoria osmane sundonte një pjesë të madhe të Evropës, duke përfshirë Konstantinopojën dhe Ballkanin, kalaja e Krujës mbeti e pamposhtur për një periudhë të gjatë. Ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu ai, i cili e mbrojti këtë kala deri në vdekje!
Pas revoltës së Skenderbeut në vitin 1443, kur ai ngriti edhe flamurin për herë të parë në 28 Nëntor, kjo kala vuajti sulme të rënda ndër vite por ajo gjendej gjithmonë e mbrojtur nga muret e saj dhe ushtria prej 3000-ve e Skënderbeut, duke u kthyer në kryefortesën e qendresës kundër pushtimit osman.
Më në fund, ajo u mposht në vitin 1478 nga ushtria e Sultanit Mehmet II, plot 35 vjet pas revoltës së heroit kombëtar dhe vetëm 10 vjet pas vdekjes së tij. E ndërtuar në shekullin e 5-të, kjo kala mesjetare kish mbijetuar për 10 shekuj para hyrjes në skenë së perandorisë osmane e Skënderbeut por është pikërisht kjo pjesë e fundit e historisë që i jep këtij vendi madhështinë e tij.
Populli shqiptar identifikohet me historinë e kësaj kalaje, duke gjetur aty humbjet e sigurta por, mbi të gjitha, edhe fitoret e papritura të një populli të vogël e të guximshëm. Midis gjurmëve të rrënojave brenda mureve të kalasë duket Kulla e Sahatit brenda së cilës gjendet këmbana që lajmëroi vdekjen e Skënderbeut. Sahati, i ndërtuar nga artizanët e Pazarit të Vjetër të Krujës, organizonte kohën e qytetit: hapjen e mbylljen e dyqaneve si dhe vaktet e lutjes. Fatkeqësisht, vendasit tregojnë se “Ora” e tyre nuk ekziston më që prej shekullit të kaluar, kur vendi ishte nën ushtrinë austro-hungareze.
Pranë kullës, ngrihet madhështor muzeu kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.i ndërtuar në fillim të viteve ’80, me arkitektë Pirro Vaso dhe Pranvera Hoxhën. I përshtatur me ambientin e kalasë dhe peizazhin malor, ky muze kurorëzon madheshtinë e vendit. Tashmë, ai është ikonë e qytetit të Krujës. Brenda tij renditen ekspozitat e jetës së Skënderbeut dhe arritjet e tij si edhe kopjet e armëve të Skënderbeut: përkrenarja me kokën e dhisë dhe shpata e tij e famshme.
Përballë muzeut shihen rrënojat e një kishe të dikurshme e cila, gjatë pushtimit osman, u kthye në xhami. I vendosur në pjesën jugore të kalasë, Muzeu Etnografik, një godinë karakteristike e viteve ‘700, dëshmon kulturën popullore së jetës në Kala si edhe vetë-mjaftueshmërinë e jetës brenda kalasë, me prodhimin shtëpiak të ushqimit, pijes, e veglave. Një tjetër monument është Teqja e Dollmës e cila, ndonëse e vogël, është foltore e besimit mysliman, që i takon gjysmës së parë të shekullit të 18-të.
Pranë kësaj teqeje, dallohet silueta e tambureve të Hamamit të Kalasë me çatinë e bukur të shekullit të 15-të. Gjatë rrugës drejt kalasë, gjendet pjesë e pazarit 450-vjeçar të Krujës i cili, në kulmin e tij, mbante më shumë se 150 tregtarë. Tani, aty shiten objekte artizanale tradicionale dhe antike. E kështu me radhë, vendët e bukura e historike nuk mbarojnë në këtë qytet të vogël, simboli i guximit dhe vazhdueshmërisë së popullit shqiptar ndër shekuj.