Avokati Spartak Ngjela ka komentuar largimin e Gledis Nanos nga drejtimi i policisë.
Ngjela i referohet asaj çfarë kanë shkruar gazetarët e kronikës, që sipas tyre përplasja ka nisur në lidhje me dy urdhër-arreste që SPAK-u ia ka dorëzuar policisë që javën e kaluar për t’i ekzekutuar në kuadër të hetimit për dosjen e inceneratorëve dhe që sipas tyre Rama ka kërkuar shtyrjen në kohë të ekzekutimit.
“Kjo është e rëndë, duhet të ishte shprehur SPAK-u. Nëse ky nuk respekton urdhër-arrestet e SPAK-ut që është superfuqi sot, arrestohet ky. Nuk do t’ja dijë SPAK-u. Ka marrëdhënie juridike mes SPAK-ut dhe policisë, por SPAK-u ka dhe forcat speciale për arrestet. Udhër-arrestet e SPAK-ut nuk ka forcë t’i ndalojë. Nuk besoj se është kjo, por po të jetë është shumë e rëndë”, është shprehur Ngjela në “Ora News”.
Sipas Ngjelës kjo do të thotë se Rama nuk ka dashur ta shkarkojë, por mund të jetë një detyrim politik ose mund të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme.
“Në situata të tilla këta japin dorëheqjen, fakti që nuk e ka dhënë ka mundësi që Rama dhe Ministri i Brendshëm i kanë kërkuar dorëheqjen, ky nuk ka pranuar. Ata e kanë lënë për njëfarë kohe. Çështja është agravuar më shumë dhe e kanë pushuar. Kjo do t’ju dalë, mbajeni mend”, është shprehur më tej ai.
Avokati ka komentuar edhe reagimin e ambasadës amerikane për largimin nga detyra të kryepolicit.
“Ajo i thotë drejtorit se nuk jemi ne promovuesit e kësaj çështjeje, e para. Por do të ishte me shkak politik të fuqishëm në rast se ambasada do ta kishte falënderuar për punën e tij para se të shkarkohej. Atëherë mund të flisnim politikisht”, ka thënë më tej Ngjela.