Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka dalë me një reagim të fortë lidhur me regjistrimin e PD-së në zgjedhje, teksa shkruan se thirrja e kreut të KQZ-së për të lejuar regjistrimin e “përçarësve”, është alarm demokratik.
Ish-ministri arsyeton se gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Stavri-Toro, ka në dorë ta zgjidhë këtë çështje për vetëm 5 minuta.
Manjani thekson se mbajtja e PD-së së Berishës jashtë zgjedhjeve me sajesa procedurale, është diçka antidemokratike dhe antikushtetuese, duke shtuar më tej se zgjedhjet e mbajtura në këto kushte, nuk janë as të lira e as të ndershme.
“Thirrje publike dhe zyrtare e Ilirjan Celibashit për të lejuar rregjistrimin e Partisë Demokratike, është alarm demokratik.
Gjykata e Apelit Tiranë, konkretisht gjyqtarja Elona Stavri-Toro, ka në dorë ta zgjidhë këtë çështje për vetëm 5 minuta. Në kaq pak minuta ajo ka në dorë të neverisë në bazë të ligjit atë sajesë-ankim të një të mllefosuri në shërbim të monizmit, i cili sidoqoftë nuk ishte palë në gjykim.
Kështu siç janë gjërat, Partia Demokratike, ajo e demokratëve shqiptarë, nuk lejohet të rregjistrohet në zgjedhjet vendore si subjekt politik.
Ndalimi i konkurimit të partive në zgjedhje, kur ato nuk janë me qëllime antikushtetuese, nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet e lira e të ndershme. Nuk ka asnjë lidhje me demokracinë dhe rendin kushtetues.
Mbajtja e PD jashtë zgjedhjeve me sajesa procedurale nuk është çështje teknike siç thonë disa komentues publikë, por është antikushtetutë e anti demokraci.
E përsëris ndalimi i një partite, e dyta më e madhe në vend, të garojë është AntiKushtetuese e anti demokratike. Zgjedhjet e mbajtura në këto kushte nuk janë as zgjedhje e aq më pak të lira e të ndershme. Demokratike jo e jo!
Nëse këtë e quani çështje teknike, ju bëftë mirë neodiktatura! E meritoni madje”, shkruan Manjani në rrjete sociale.