Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, e ka cilësuar si një rezultat që duhet pranuar eliminimin në turin e dytë të Conference League. Tekniku i rrogozhinasve pranoi se ekipi i tij kishte qenë larg asaj që pritej, teksa kishte shfaqur shumë pasiguri përballë Vikingur në ndeshjen që i nxori nga Europa.
“Të vjen keq, se pjesën e parë kishim presion, nuk e di pse na vjen. Mendoj se lojtarët nuk ishin në detyra, në pjesën e parë mund të kishim pësuar edhe gol tjetër, ishte fati me ne. Në pjesën e dytë reaguam me ndryshimet, ishim afër golit, por portieri kundërshtar bëri diferencën dhe duhet të pranojmë këtë humbje.
Nuk është se kundërshtari dominoi, nuk ishim ne në detyra, në kohën e presingut ishim vonë, sidomos sulmi. Menduam të ndryshonim skemën dhe na doli efikase, shkuam para portës, por gjithmonë pa shënuar gola.
Mendoj që duhej të kishim bërë më mirë kohën e presingut dhe më shumë qarkullim topi, ishim shumë të trembur, sidomos në pjesën e parë.
Goli i dytë? Nuk e kam parë ende aksionin por mendoj se ishte gabimi i lojtarëve të mi që nuk shoqëruan deri në fund tre lojtarët e linjës së parë. Sa i përket VAR, nëse nuk ka, duhet ta pranojmë.
Nuk mendoj se do të ndikojë kjo humbje te kampionati. Kemi hequr disa lojtarë dhe duhet pak kohë të përshtatim disa lojtarë se nuk kanë minutat e duhura, Të shohim deri në fund afrimin e një lojtari tjetër në sulm që do të jemi të plotë”, tha Tetova për RTSH pa ndeshjes.