Është zbardhur dëshmia e infermieries Aurona Pelaj, emri i të cilës doli pas pamjeve tronditëse të publikuara nga qendrën “Orenda” në Pejë, ku u zbulua se keqtrajtoi brutalisht një të moshuar bashkë me 3 punonjëse të tjera, ngjarje e cila ngjalli shumë reagime nga opinioni publik.
Pelaj ndodhet në qeli dhe ka dëshmuar para hetuesve lidhur me rastin në fjalë. Infermierja e cila është shprehur e penduar pretendon se të moshuarën e sulmoi në vetëmbrojtje. Publikimin e videos ajo e konsideron si të qëllimshm,e për shkak se dje është shkarkuar nga detyra dhe puna në qendrën “Orenda”.
Pelaj ka dëshmuar para hetuesve policorë se ditën kur keqtrajtoi të moshuarën kishte shkuar të ndihmojë koleget, të cilat po merreshin me të, pasi sipas saj ajo ka qenë agresive. Dhunën që ka ushtruar të moshuarës ajo e ka justifikuar, duke thënë se e moshuara e ka sulmuar e para pasi kishte kaluar kriza nervoze dhe ka shkaktuar telashe në ambientin e qendrës.
“Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mia kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër“, ka deklaruar ajo.
Në dëshminë e saj para hetuesve policorë, infermierja që keqtrajtoi të moshuarën pretendon se veprimi i saj është i drejtë pasi e ka mësuar në shkollë që të përgjigjet me dhunë në rast se pacienti me probleme psikike e sulmon.
“Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mia janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll.”, tha Pelaj.
Në dëshminë e saj, Pelaj është shprehur e penduar për rastin që ka ndodhur. Ajo ka deklaruar po ashtu se publikimi i videos është bërë me qëllim nga qendra pasi ajo është pezulluar nga puna ditën e djeshme. Sipas saj, ajo s’ka qenë e përgatitur që të merret me persona që kanë probleme psikike.
Kujtojmë se një familjar i të moshuarës, tha para gazetarëve se rasti që u bë publik, ka ndodhur para 3-4 ditësh. Pamjet që u shpërndanë në rrjetet sociale kanë tronditur jo pak opinionin publik. Aty shihet se si një nga punonjëset më konkretisht infermierja Aurona Pelaj e sulmon gruan e moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma. Kjo bëri që e moshuara, e cila është nëna e dëshmorit Taulant Nura, të largohet prej kësaj qendre nga familjarët e saj.