Indrit Tuci zbuloi në konferencën për media si po shkojnë përgatitjet e kuqezinjve, ndërsa theksoi dëshirën për të shënuar në debutimin e tij përpar tifozëve në Arena Kombëtare. “Çdo ditë e mendoj. Para se të shkoj të fle, e mendoj golin dhe si mund ta shënoj. Objektivi im është që të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin. Goli është i mirëseardhur nëse vjen – tha Tuci, që pastaj shtoi -. Vetëm të luaj para tyre është ndjenjë e veçantë dhe shpresoj shumë që ta shënoj golin. Nuk ka rëndësi për mua. Nëse e shënon Ramadani, do jem dyfish më i lumtur”.
I grumbulluar për herë të dytë me Kombëtaren, Indrit Tuci vlerësoi çekët për lojën që bëjnë, ndërsa theksoi se kuqezinjtë po marrin masat e duhura për të dyja ndeshjet. “I njoh mirë sepse kanë një stil loje që edhe ne e pamë në ndeshjen e parë. Janë fizikë, luajnë me topa të gjatë, do të bëjmë ç’është e mundur që t’i ndalojmë dhe të jemi më luftëtarë në topat e dytë. Ata kanë një sulmues të gjatë dhe duhet ta mbulojmë sa më mirë dhe shpresoj që ashtu sikurse në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, t’i neutralizojmë, të bëjmë një ndeshje të njëjtë dhe të kënaqim tifozët”.
RIKUPERIMI I PLOTË E GOLAT KUQEZI
Sulmuesi tregoi se është në gjendje të mirë fizike, teksa tha se është gati për të dhënë maksimumin e tij nëse trajneri i beson minuta në ‘Air Albania’. “Besoj që jam gati. Kam bërë të gjitha testet dhe analizat dhe më kanë dalë mirë. Mund të ketë ndonjë shqetësim të vogël, por s’do të thotë asgjë. Këtu jemi për Kombëtaren dhe duhet të japim gjithçka”.