Gazetari Osman Stafa ka njoftuar zhvillimin e një proteste për mungesën e ilaçeve që shpëtojnë jetën pranë Qendrës Spitalore Universitare.
Stafa shkruan se pas shumë përpjekjesh për të mundur të sigurojë një zgjidhje, apo për të vënë në alarm institucionet lidhur me këtë problematike, sheh si të vetmen rrugë protestën.
Përmes një postimi në Facebook, ai fton të gjithë qytetarët të reagojnë “për një skandal që po merr jetë njerëzish”.
Protesta pritet të mbahet të enjten e 16 Nëntorit, në orën 18:00, para Ministrisë së Shëndetësisë.
Postimi i plotë i gazetarit:
“PROTESTË PËR JETËN, ILAÇET DUHEN TANI”
Prej dy vitesh kam ezauruar të gjitha rrugët e mundshme të reagimit për mungesën e ilaçeve jetëshpëtuese në QSUT.
Kam denoncuar në media, kam investiguar, kam vënë më dijeni dy ministra shëndetësie, kam denoncuar në organet e drejtësisë, kam siguruar prej vitesh vetë medikamente, por duket se asnjëra nga këto nuk kanë alarmuar institucionet për t’u angazhuar seriozisht në gjetjen e një zgjidhjeje për qindra persona që vuajnë nga sëmundje të rënda, e sidomos ndjeshmëri nuk ka pasur as kur bëhet fjalë për fëmijët.
Ndaj në këto kushte e vetmja rrugë është PROTESTA, reagimi qytetar i të gjithëve NE!
Le të mblidhemi të enjten, më 16 nëntor në orën 18:00 para Ministrisë së Shëndetësisë!
“Protesta për jetën: Ilaçet duhen, TANI!”
-Ftoj të gjithë qytetarët të reagojnë për këtë skandal i cili po merr jetë njerëzish. Askujt s’ia uroj, por të gjithë mund të përballemi me këtë situatë; unë, ti, fëmija yt, nëna jote, babai yt, të afërmit tanë!
-Ftoj mjekët të cilët në mungesë të këtyre medikamenteve jetike thyejnë betimin e Hipokratit për të shpëtuar jetë! Jo për faj të tyre!
-Ftoj studentët e mjekësisë, që nesër do të përballen në korridore plot pacientë, që kërkojnë jetë, e s’do munden të bëjnë gjë për ta.
-Ftoj familjarët e pacientëve të cilët enden nëpër korridoret e pavioneve për të gjetur një ilaç, por përballen me përgjigje “S’ka”
-Ftoj gjithkënd i cili të pakën një herë është përballur me mungesën e ilaçeve nëpër spitalet anembanë vendit!
Reagimi ynë duhet të jetë tani, sepse ilaçet duhen tani!