Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 8 vjet burg për kultivim droge është arrestuar nga Policia e Krujës.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se në pranga është vënë shtetasi Ilir Krojë, banues në Nikël. 52-vjeçari kishte përshtatur një dhomë të nëndheshme në banesën e tij për t’u fshehur ndërkohë që ishte në kërkim nga Policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të operacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të marra se në Nikël, një shtetas i kërkuar nga Policia, strehohej në një ambient të cilin e kishte impovizuar për tu fshehur, në banesën e tij, menjëherë kanë organizuar punën, dhe kanë ushtruar kontroll në adresën e dhënë. Si rezultat u kap dhe vu në pranga shtetasi Ilir Krojë, 52 vjeç, banues në Nikël.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë, kanë konstatuar poshtë mobiljeve të kuzhinës, një derë me shkallë zbritëse në një dhomë të nëndheshme, të cilën 52-vjeçari i ndaluar, e përdorte për tu fshehur nga policia. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 8 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi në vitin 2020 ka 200 kultivuar bimë në Njësinë Administrative Nikël”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.