Gjelbrim Taipi e mbylli aventurën me Partizanin dhe Superligën shqiptare. Ish-mesfushori i ekipit kryeqytetas do e vazhdojë karrierën te Prishtina. Kjo lëvizje surprizë e ish-mesfushorit të Partizanit raportohet në Kosovë nga “GazetaBlic”.
Kështu Taipi do të kalojë nga një klub kryeqytetas te tjetri. Do të jetë hera e parë për 32-vjeçarin në Kosovë. Taipi u bashkua me Partizanin në verën e vitit 2023. Në total luajti 81 ndeshje ku la shenjën e tij me 3 gola dhe 6 asiste. Prishtina ndërkohë po vijon punon për Ligën e Europës. Rrugëtimi i tyre do të fillojë në turin e parë përballë Sherif Tiraspol.
LARGIMET E TJERA TE P ARTIZANI
Partizani zyrtarizoi së fundmi largimin e tre sulmuesve. Dmitri Podstrelov, Nikola Vujnoviç dhe Rodrigo Piloto ndanë rrugët me të kuqtë. Pritshmëritë ishin të mëdha në afrimin e tyre, por lojtarët e huaj dolën jashtë llogarive për sezonin 2025/26.
Rodrigo Pilotos nuk iu besua asnjëherë vendi i titullarit te Partizani. Kujtojmë se ishte ndër lëvizjet e para të merkatos në verën e kaluar. 24-vjeçari nga Portugalia mori më pak se 80 minuta në katër ndeshje. Me Partizanin në Kategorinë e Tretë shënoi pesë gola në gjashtë ndeshje. Në korrikun e kaluar u huazua Jozef Mintongo nga Kameruni.
Pritshmëritë ishin të mëdha për 19-vjeçarin, që tashmë nuk është pjesë e llogarive të ekipit të parë. Mintongo luajti më pak se 150 minuta në total të katër ndeshjeve ku u aktivizua. Anteo Osmanllari u bashkua me “demat” në gushtin e vitit të kaluar. Mbrojtësi 26-vjeçar nuk ia doli të fitojë vendin e titullarit dhe e mbylli me tetë paraqitje. Rreth 450 minuta në total me ekipin e parë gjatë gjithë sezonit. Osmanllari luajti edhe me ekipin B në Kategorinë e Tretë.
Partizani transferoi David Domgjonin në shtatorin e kaluar. 28-vjeçari dha kontributin e tij në 27 ndeshje. Për të ishin rreth 2000 minuta në total. Kështu u bë një nga lojtarët me më tepër minuta te sezoni i Partizanit. Dmitri Padstrelau iu bashkua të kuqve në fillimin e këtij viti. Bjellorusi shikohej si pasuesi i Tedi Carës, që vazhdoi karrierën në Ukrainë. Padstrelau kishte edhe një vit të mbetur kontratë, por e shkëputi bashkëpunimin me mirëkuptim.