Pas sfidës emocionuese mes Tiranës dhe Flamurtarit, skuadra bardheblu ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm solidariteti dhe humanizmi. Lojtarët e Tiranës vendosën që premion e fitores, të cilën presidenti Refik Halili kishte vendosur për triumfin ndaj vlonjatëve, t’ia dhurojnë shokut të skuadrës, Freddy Alvarez.
Ky vendim i veçantë tregon jo vetëm unitetin brenda skuadrës, por edhe një kulturë të veçantë bashkëpunimi dhe kujdesi për njëri-tjetrin. Kapiteni Redon Xhixha ishte ai që i komunikuar vendimin presidentit Halili, i cili e priti lajmin me habi dhe emocion. Pas këtij vendimi, e gjithë skuadra shkoi për të takuar Freddy Alvarezin, duke e mbështetur dhe inkurajuar në këtë moment të vështirë.
Lojtarët u përpoqën të qëndronin pranë tij, të dëgjonin dhe të ndanin fjalë ngushëllimi, duke treguar se në Tiranë, lidhjet brenda ekipit shkojnë përtej fushës së lojës. Veprimi i lojtarëve nuk kaloi pa u vënë re nga drejtuesit e klubit, të cilët mbetën të habitur nga solidariteti dhe humanizmi që treguan bardheblutë. Vetë presidenti Refik Halili u shpreh se ky është një nga aspektet që e diferencojnë Tiranën nga klubet e tjera, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë brenda skuadrës.
Nga ana tjetër, familja Alvarez po përballet me një dhimbje të madhe, pasi trupi i pajetë i vogëlushes Alvarez ka lënë tokën shqiptare për t’u transportuar drejt Kosta Rikës. Shpenzimet e udhëtimit janë mbuluar nga presidenti Halili, një veprim tjetër që tregon përkushtimin e klubit jo vetëm ndaj lojtarëve, por edhe ndaj familjeve të tyre në momente të vështira.