Përplasjet brenda Partisë Demokratike vazhdojnë të thellohen me kalimin e ditëve, teksa përveç konfliktit me fraksionin e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, pakënaqësitë janë shtuar edhe brenda Grupit të Rithemelimit të PD, të drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha. Aktivistja dhe ish-përkrahësja e Berishës, e sulmoi dje hapur këtë të fundit, pasi mirëpriti fitoren e Besart Xhaferit si drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demoratike. Kokalari e quajti të turpshme sjelljen e ish-liderit historik të demokratëve në një kohë kur ka denoncime për manipulime të votave dhe paracaktim të rezultatit të zgjedhjeve në FRPD si dhe për faktin se ende nuk ka skaduar afati për apelimin e rezultatit. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, aktivistja shqiptaro-amerikane i përmend Berishës se katapultimin e Xhaferit në krye të organit përfaqësues të të rinjve demokratë ia ka konfirmuar sekretari i FRPD, Grigels Muçollari. Sipas Kokakalarit, ai i ka treguar se Kryesia e PD donte që në krye të forumit të zgjidhej një njeri i besuar i tyre. Ajo e akuzon Berishën se legjitimoi procesin farsë zgjedhor të FRPD duke legjitimuar gënjeshtrën. Deklarata prej ndaj ish-kryeministrit arrin pikën kulmore kur i përmend se ai e ka merituar Lulzim Bashën, duke nënkuptuar vendimin e ish-kryedemokratit për ta përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat dhe partia. “Turp të të vijë, Sali Berisha! Ka një muaj që na ka rënë goja duke të thënë që po bëhen manipulime. Kam tre muaj që të thashë që Këlliçi vodhi votat dhe përgjigja jote ishte ‘Eh, se 11 vota janë!’. Grigels Muçollari ma ka thënë copë që këta të Kryesise donin njeriun e vet si kryetar dhe me ndihmën tënde ia dolën. Sot ti legjimitove gënjeshtrën. E paske merituar Lulzim Bashën, i dashur zotëri!”, shkruan e zhgënjyer në rrjetet sociale Evi Kokalari.
Kokalari-Rithemelimit: Boll u tallët me primaret, jeni të mbaruar!
Më pas, aktivistja shqiptaro-amerikane sulmon Berishën dhe mbështetësit e tij në PD që të mos vazhdojnë me premtimet për të zhvilluar “primaret” (garën për përzgjedhjen e kandidatëve të PD për zgjedhjet e ardhshme lokale) pasi kanë zhgënjyer totalisht besimin e demokratëve me zgjedhjet në Këshillin Kombëtar, Kryesinë dhe FRPD. Ajo ktheu në vëmendje dhe debatin që PD të quhet “parti konservatore e qendrës”, duke thënë se në këtë mënyrë PD është një parti e dështuar dhe e falimentuar përderisa nuk pranon të përqafojë dhe identifikohet me vlerat e konservatorizmit. “Dhe boll u tallët me primaret. Ju nuk keni konceptin bazë të konservatorizmit. Dhe vazhdoni me EPP. Shumë nga ne do e kishin për turp në këtë pikë që PD-ja të hiqej si konservatore. Tashti bëni sikur do luftoni Edi Ramën. Ju jeni te gjithë të mbaruar!”, mbyll statusin e saj të ashpër Evi Kokalari.
Revolta e Kokalarit me Berishën, ish-kryeministri uroi kreun e ri të kontestuar të FRPD
Irritimi dhe shpërthimi i Kokalarit ndaj Berishës erdhi si pasojë e takimit të ish-kryeministrit me kreun e ri të FRPD, Besart Xhaferin. Berisha e priti në zyrën e tij drejtuesin e të rinjve demokratë duke e uruar për fitoren në garën e fundit brenda Rithemelimit. Me fitoren e Xhaferit, Berisha dha mesazhin se rimodelimit të rolit të të rinjve demokratë në parti me synim rikthimin e kësaj force politike në pushtet. “Të dashur miq, sot prita në një takim dhe e urova për zgjedhjen në postin e kryetarit të FRPD, Besart Xhaferin. Theksova se ridimensionimi i gjithanshëm i rolit të të rinjve të FRPD, është i një rëndësie jetike për të ardhmen dhe fitoren e Partisë Demokratike. Mendoj se gjithëpërfshirja e të gjitha flukseve rinore në FRPD është një kusht kryesor për përmbushjen e misionit të ri të FRPD”, komentoi Berisha pas takimit me Besart Xhaferin.
Rithemelimi, në mes të “stuhive” brenda vetes, gjithçka nisi në 30 prill Në 1 tetor, FRPD zgjodhi kryetarin e ri Besart Xhaferi. Ai rezultoi më i votuari duke siguruar 5256 vota në përballje me 5 kandidatët e tjerë Arnold Kaqiri (1683 vota), Mariglend Doçi (1292 vota), Artion Barjamaj (528 vota), Barbara Doda (452 vota) dhe Alesia Balliu (186 vota). Ish-kandidatja Doda u tërhoq nga gara në momentin e fundit duke akuzuar strukturat drejtuese dhe organizatove zgjedhore në parti për parregullsi me listat e votuesve dhe numrin e votave. Ajo e konsideroi fitoren e Xhaferit si fitues të parashpallur. Më pas, në ditët në vijim, pati një sërë denoncimesh për manipulime zgjedhje, të cilat u publikuan dhe në media. Zgjedhja e Xhaferit u paralajmërua prej ditësh në krye të FRPD si rezultat i paracaktuar, madje pati pretendime se ai ia doli të fitonte falë ndërhyrjes së deputetit të PD, Belind Këlliçi në zgjedhje duke patur parasysh se ishte drejtuesi i fundit i këtij forumi. Një tjetër fakt që shton dyshimet për shkeljen e transparencës dhe barazisë në zgjedhje është fakti se Besart Xhaferi mund të mbyllë mandatin në krye të FRPD përtej moshës që përcakton statuti i partisë për anëtarët e këtij forumi që duhet të jeni të grupmoshës 15-35 vjeç. Aktualisht, Xhaferi është 32 vjeç, dhe pas 4 vitesh ai do të jetë 36 vjeç. Në këtë mënyrë, ai mund të vijojë të drejtojë këtë strukturë rinore të partisë përtej moshës maksimale të sanksionuar nga statuti i PD. Në fakt, përplasjet brenda Rithemelimit nisën që pas zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë, në datat 30 prill dhe 28 maj. Aktivistja Evi Kokalari akuzoi Këlliçin se orientoi zgjedhjet e bashkëpunëtorëve të tij në Këshill duke përdorur numra lobimi që ua shpërndau zgjedhësve. Më pas, Këlliçi e paditi për shifje Kokalarin në gjykatë. Ish-mbështetësja e Berishës gjatë turit të “Foltoreve” nuk la pa sulmuar dhe deputeten Albana Vokshi, ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli, etj., se po deformojnë orientimin e partisë duke penguar që ajo të mos jetë parti konservatore, por parti e qendrës së djathtë, e modelit të Partive Popullore Europiane, variant për të cilën Kokalari është shprehur kundër.