Analisti Kreshnik Spahiu, tha se disa deputetë të PD-së nuk do i ndahen “Foltores” deri në zgjedhjet e ardhshme.
Në një intervistë për mediat, Spahiu theksoi në vitin 2024 grupimi politik i PD-së do të shkatërrohet duke shtuar se do e kenë të vështirë garën në vitin 2025.
“Nuk i kuptoj grupet e deputetëve në piruetat dhe turbulencat e tyre politike që mbajnë qëndrime ekstremisht të kundërta. Këta kanë llogarinë e tyre, me shpresën që Berisha t’i fus në listën e deputetëve.
Duke qenë se Basha i ka larguar nga partia e tyre, duke qenë se nuk kanë peshën të formojnë një parti politike, e vetmja gomone është foltorja. Ata nuk do i ndahen foltores deri ditën që do e shikojnë që nuk kanë shpresa për t’u bërë deputetë. Po ta vini re, ka një lloj rritje të PD-së zyrtare.
Mendoj viti 2024 do të shkërmoq tërësisht këtë grupim politik dhe do e kenë shumë të vështirë garimin në vitin 2025”-tha ai.