Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar balonën kineze të dyshuar se përdorej për spiunazh, e cila ka fluturuar gjatë javës së kaluar në të gjithë Amerikën.
Lajmin e kanë berë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave balona u rrëzua nga një avion luftarak dhe pjesët e saj ranë mbi oqeanin Atlantik. Presidenti i SHBA Joe Biden u përball me presion të madh për ta rrëzuar atë, që kur u shfaq për herë të pare gjatë javës së kaluar.
Roja bregdetare kishte këshilluar gjithashtu marinarët të largoheshin nga zona, për shkak të operacioneve ushtarake “që paraqesin një rrezik të madh”. Presidenti Biden kishte dhënë miratimin për të rrëzuar balonën mbi Oqeanin Atlantik, ku mbetjet e saj nuk mund të shkaktonin dëme. Fluturimi i balonës mbi SHBA vjen në mes të tensioneve të përkeqësuara midis Uashingtonit dhe Pekinit, me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken që anuloi një udhëtim në Pekin për këtë çështje.
Blinken tha se prania e balonës së “mbikqyrjes” ishte “një akt i papërgjegjshëm”. Megjithatë, Kina tha se balona është përdorur për të mbledhur të dhëna meterologjike. Kujtojmë se SHBA raportoi edhe për një balonë të dytë kineze që lundronte mbi Amerikën Latine të premten.